Kufomat nuk qahen, por blihen…

Nga Elona CASLLI

At Zef Pllumi ka thënë se në botë ekzistojnë mrekullitë, vetëm se duhen dalluar se cilat mrekulli i përkasin Zotit e cilat i përkasin Djallit.

Kryeministri ka postuar një status, përmes të cilit na shfaq mrekullinë e Djallit mbi tokë.

Nëse mrekullia e Djallit do të shkruhej, atëherë teksti do të ishte statusi i Kryeministrit, i cili na nënvizon faktin se ishte djali që i doli para ambulancës në aksidentin në Kakavijë dhe ndihmën financiare që shteti shqiptar do t’i jepte familjes në fjalë.

Mrekullinë e Djallit Kryeministri përpiqet të na e servirë si përgjegjësi shtetërore kundrejt një tragjedie. Ndërkohë është krejt e kundërta. Është thjesht një blerje kufome.

Meqënëse Kryeministri i vendit, ka pohuar se komunistët kanë qëndruar në kahun e drejtë të historisë, përfitojmë nga rasti t’i sjellim në vëmendje, një rrëfim nga At Zef Pllumi, shkëputur nga “Rrno vetëm për me tregue”.

“Po të tregoj nji ngjarje të ndodhun në nji ndër kampet e internimit. Nuk e dij a ishe ti aty a jo. Nana kishte djalin e vet ushtar- roje-. Mbasi nana nuk dinte me shkrue, niset me e pá djalin e vet ushtar. Hoqi shumë keq derisa mbrrijti aty tek dera e kampit. Nuk e kuptonte as se ku ishte dera, as komanda. Pá djalin e vet aty nalt në truprojë e thirri:

– Të keqen nëna! Hekuran, jam nëna jote!

– “Ndal”

– Hekuran, or bir!

– Ndal!

-Hoqa të zezat e ullirit për t’ardhë gjer këtu! Dua të të puth një herë dhe të të shoh se nuk kam kohë të rrijë. Veç sa të të puth një herë.

– Ndal!

– Hekuran, o djalë! Sa të të puth nji herë.

– Ndal, ndal – dhe krisi automatiku

Nën breshin e zjarrit nana ra; mbet aty sa gjan gjatë, në fillim të shkallëve të truprojës. U bâ alarm i madh në komandë. Erdhën përnjiherë shumë oficera të komandës. Komisari pveti: -Ti e vrave këtë njeri.

“Po, shoku komisar! Unë i thashë tri herë “Ndal”- dhe ajo nuk më ndigjoi. “E njohe ti?” “E njoh apo s’e njoh ajo shkeli të gjitha rregullat që ka caktuar Nëna Parti. Unë respektova rregullat ushtarake.

Ju na keni thënë vazhdimisht se armiku i klasës maskohet nën çdo rrobë dhe miqësore dhe familjare.

U bâ procesverbali. Nana aty e dekun. Djalit si shpërblim iu dhanë 10 ditë leje, plus nji racion gjellë edhe 150 lekë për udhëtimin deri në fshatin e vet.””

Emëruesi i përbashkët mes rrëfimit të At Zef Pllumit dhe ngjarjes tragjike në Kakavijë, ku humbi jetën djali 10 vjeç, është blerja e kufomave nga Pushteti.

Kryeministri, para se të na pohojë faktin se ishte djali që i doli para ambulancës, bën mirë t’u përgjigjet disa pyetjeve:

– Pse ndodhej ai djalë në Kakavijë?

– Sa kohë kishte ai djalë që priste të kalonte kufirin në Kakavijë?

– Pse Kryeministri i vendit ka shpërfillur njoftimin që ambasada e Shqipërisë në Greqi i ka dërguar shtetit shqiptar në datën 5 gusht 2020?

– Pse Kryeministri heshti kur ishte në dijeni se Greqia do të mbyllte kufirin në Kakavijë?

– Pse Kryeministri i vendit i la shqiptarët të mblidheshin dhe të udhëtonin drejt Kakavijës?

Kryeministri i vendit para se të na kujtojë faktin se ishte djali që i doli para ambulancës t’u përgjigjet pyetjeve të mësipërme, të cilat tregojnë me kokëfortësi që nëse Kryeministri nuk do të kishte shpërfillur njoftimin e shtetit Grek, tragjedia e Kakavijës nuk do të ndodhte.

Ndihma financiare që Kryeministri ka vendosur t’i japë familjes së djalit nuk është përgjegjësi shtetërore. Është blerje kufome.

Nëse do të kish qenë përgjegjësi shtetërore, Kryeministri duhet t’u kërkonte falje të gjithë shqiptarëve në Kakavijë, për papërgjegjshmërinë absolute të institucioneve përgjegjëse në Shqipëri e mandej të kishte pohuar ndihmën financiare për familjen në fjalë.

Post Scriptum- Me blerjen e kufomës, Kryeministri i vendit përpiqet dëshpërimisht që aktin e djallit të na e servirë si aktin e Zotit dhe njëkohësisht përpiqet të heqë çdo përgjegjësi që ka shteti shqiptar në këtë tragjedi.

2 20