Fillimi i vitit të ri shkollor/ Pampuri: Nuk është çështja e maskave dhe dezinfektimit të duarve, por ka shkolla pa ujë dhe…

Ish-deputetja e PD, Orjola Pampuri, u shpreh se, Ministria e Arsimit nuk është e qartë në lidhje me protokollet e fillimit të vitit të ri shkollor.

Pampura tha për Oranews se, ka shumë shkolla që nuk i përmbushin dot kushtet e higjienës, pasi kanë mungesë uji të rrjedhshëm.

Oriola Pampuri: Nuk dihet nëse do të ketë një sistem survejance për fillimin e shkollës. A do të ketë kite dhe tamponë të shpejtë? Ministria në raport me protokollet nuk ishte e qartë. Mund të ketë fëmijë që vjen në shkollë dhe nuk ka shenja të qarta të Covid-19, por mund të jenë mbartës dhe ta shpërndajnë te shokët dhe familja. Gjermania diti ta menaxhojë më mirë se sa ne situatën, por sot po përballet me një situatë të rënduar të shkollave. Kemi qindra mësues dhe nxënës që janë të karantinuar pasi nisi shkolla në Gjermani. Pra, duhet të kemi parasysh një strategji më të mirëmenduar dhe të detajuar.

Nuk është çështja e maskave, e higjienës dhe dezinfektimit të duarve, por edhe këtë nuk e arrijmë dot se ka shkolla pa ujë dhe kushte. Ka shkolla që janë shembur nga tërmeti. Si do të procedohet me këto raste. Ministria e Arsimit nuk ka reaguar për këto raste. Ka shumë shkolla që kanë problematika të mëdha për ujë të rrjedhshëm dhe kushte. Mua më habit fakti që për 3 muaj në pandemi nuk u morën masa për këtë situatë. Tani nuk mjaftojnë 2 javë për të plotësuar këto kushte. Ne si prindër e kemi primare sigurinë. Nuk duam të nisë një fazë e re me të infektuar.

Pampuri shtoi se masat nuk janë reale, por vetëm në letër dhe se i gjithë procesi i fillimit të shkollës është një amulli.

Oriola Pampuri: Këto masa janë një amulli sepse nuk kemi diçka reale, kemi vetëm masa në letër. Në shumë shkolla periferike ose në zona rurale, nuk kanë mundësi për të përballuar këto masa. Gjermania është përballur me një vështirësi të tillë sot. Unë di që ne kemi klasa me 40 nxënës. Si do të ndahet klasa, si do të zhvillohet mësimi? Është shumë e rëndësishme që të dimë se si do të jetë ky proces. Prandaj them që kemi në situatë amullie. Prindërit duan që fëmijët e tyre të kthehen në shkollë, por duan të jenë të qartë për kushtet e sigurisë për virusin.