Equilibrium*) dhe Sonila Meço

Nga Erl KODRA

Libria, është një qytet-shtet totalitar, i krijuar nga të mbijetuarit e Luftës së Tretë Botërore, ku emocionet dhe objektet stimuluese të ndjenjave njerëzore, si lulet, fotografitë, veprat e artit, muzika dhe letërsia janë kriminalizuar. Ndjesitë njerëzore cilësohen si shkaktaret e luftrave dhe fatkeqësive, prandaj ato duhen zhdukur*).

“Kundërvajtësit me ndjesi” etiketohen si armiq dhe dënohen me vdekje. Popullata i shtypë emocionet me anë të një injeksioni të përditshëm me “Prozium II”, njëlloj droge që të kthen në një copë guri. Libria drejtohet nga Këshilli i Tetragrammaton, i udhëhequr nga “Babai”, i cili propagandon gjatë gjithë kohës përmes ekraneve gjigande dhe videove në të gjithë qytetin.

Klerikët, një trupë oficerësh të trajnuar me arte marciale bastisin shpesh pronat dhe shtëpitë e qytetarëve, në kërkim të materialeve të paligjshme si arti, letërsia dhe muzika. Ata që fshehin gjëra të tilla, ekzekutohen pa mëshirë.

Përndryshe, Libria është një vend pa ndjenja dhe emocione njerëzore. Edhe jeta dhe vdekja mundësohet nga “BABAI”.

II

U përpoqa të mendoj Tiranën pa Sonila Meçon dhe në mendje projektova qytetin. Hoqa edhe të tjerë personazhe televizivë, këtë rradhë Adi Krastën. Fshiva autorë programesh, gazetarë dhe operatorë. Zhduka të gjithë mediat e tjera të shkruara, rrjetet sociale dhe radiot.

Ajo çfarë mbeti ishte vetëm Top Channel, ERTV, betoni gri ku vareshin ekranet e mëdha, dhe zëri i “Babait”.

Asgjë nuk lëvizte. As gjethi.
Vetëm SARS-Cov2 dhe Erion Veliaj. S’e di pse; unë po qaja pa zë.

Dhe shkrova;

Tym’ i mbushur me farmak,
Ra qytetit mes për mes.
Në mëngjes në asnjë varg,
S’kishte mbetur asnjë lule.

III

Sonila Meço është një grua e bukur. Nuk e kam fjalën për sytë e shkruar ose shtatin e gjatë, por për zërin gurgullues. Si munda të projektoj qytetin pa Sonila Meçon dhe zërin e saj? A mund të shtyhen ditët në një qytet të tillë?

“Mirësevini në Tempora!”

Sonila Meço të bën të mendosh përtej kuptimit të parë. Ajo të fton të shohësh se çfarë ka pas perdes, pas fjalës dhe pas gjestit. Në qytetin gri, ajo është gruaja e vetme që falë zërin për bashkëqytetarët. Pa truke, pa gënjeshtra.

*) Equilibrium është një film fiction amerikan i vitit 2002, shkruar dhe drejtuar nga Kurt Wimmer, me aktorët Christian Bale, Emily Watson dhe Taye Diggs

2 5