Eksperti: Mungon vizioni dhe organizimi për të kontrolluar Covid! Nëse vendoset sërish karantina, Komiteti Teknik duhet të…

Mjeku epidemiolog, Erion Dasho në një intervistë për Fax News, duke folur në lidhje me pandeminë e Covid-19 në vend, ku ditët e fundit janë shtuar rastet e personave të infektuar, tha se Shqipëria ka kapacitetet për ta kontrolluar situatën por mungon vizioni dhe organizimi.

“Shqipëria ka kapacitetet për të kontrolluar Covid, por mungon vizioni dhe organizimi. Ne nuk mund ta harxhonim kohën e karantinës për të mburrur veten dhe duke bërë krahasime me shtete si Gjermania apo Italia. Të gjitha vendet e përgjegjshme e kaluan periudhën e karantinës për tu përgatitur në sistemin shëndetësor, për të riorientuar sistemin shëndetësor, për të mobilizuar sistemin e logjistikës.

Vendet si Shqipëria treguan mungesë përgjegjshmëria dhe mungesë vizioni dhe nuk mundën dot të përgatiteshin për situatën ku është tani. Dhe pas heqjes së karantinës u shtuan rastet, kishte një mungesë vizioni. Në momentin që qeveria hoqi dorë nga masat mbrojtëse, populli mbeti i pa mbrojtur.

Tashmë faji në mënyrën më të poshtër përpiqet që t’i hidhet publikut. Psh. Maska dhe distancimi fizik nuk mjaftojnë për të kontrolluar Covid-19, por janë një masë mbrojtëse. Shteti duhet të krijojë spitale të sigurta. Sot materniteti i Lushnjes është bllokuar, sot dhe kësaj dite kemi institucione shtetërore të pasigurta. Nuk testojmë, nuk gjurmojmë, nuk trajtojmë të gjitha elementët e përgjigjes ndaj Covid-19. Sot janë të dështuara dhe fajin e kanë strukturat shtetërore”, tha Dasho.

Sa i përket rikthimit të karantinës, eksperti i Shëndetit Publik theksoi se para se kjo është masa e fundit që duhet të merret. Dasho shtoi se nëse komitetit teknik i ekspertëve do të mendojë të riktheje karantinën, fillimisht duhet të largohet.

“Karantina duhet të jetë gjithmonë masa e fundit. Nëse kjo qeveri ose kjo administratë do të mendonte që të rikthejë karantinën, fillimisht duhet të largohet. Duhet largimi në bllok i personave që e katandisën në këtë pikë Covid-19 në Shqipëri.

Duhet të largohen personat përgjegjës që nuk e menaxhuar situatën. kërkohet vizion dhe angazhim korrekt i gjithë strukturave të shëndetit publik. Karantinën çdo administratë e ka fishekun e fundit. Para se të mendohet karantina duhet të largohen personat përgjegjës. Nëse u shkon në mendje komunitetit teknik të rikthejnë karantinë, para se të rivendosin karantinën duhet të japin dorëheqjen në bllok”, tha Dasho.