Edhe Gruevski i “fitoi” zgjedhjet, por nuk ia doli dot t’i rezistojë presionit të Perëndimit

Nga Red VARAKU

Kriza politike e Tiranës ka në thelb përpjekjet e Perëndimit për të ndalur flirtin e kryeministrit shqiptar me qarqe që janë qartazi në dëm të interesave të BE.

Në fakt, ajo e ka zanafillën në 2018, vit kur nisi dhe ideja e ndarjes së territoreve të Kosovës.

Sepse ajo ishte një ide që buronte nga zyrat e Kremlinit, me anë të së cilës Kremlini rikonfirmonte zyrtarisht rolin e saj të padiskutueshëm për paqe dhe stabilitet në Ballkan.

Pra, thelbi i krizës është çmontimi i regjimit të Ramës, që do të thotë ndalim i influencave anti-BE.

Burimi i saj është përpjekja për të mos ju bindur rregullave të lojës demokratike të ndryshimit të pushtetit dhe kalimit të saj nga njëra palë tek tjetra, nëpërmjet një procesi ku njerëzit votojnë të lirë përfaqësuesit e tyre.

Rama po tenton ta mbajë pushtetin me çdo kusht, nëpërmjet mekanizmave që në thelb asgjësojnë votën e lirë edhe pas demaskimit dhe delegjitimimit të tij nëpërmjet përgjimeve.

Në kursin e tij të përplasjes me Perëndimin ai po bëhet identik me Gruevskin.

Ndaj për të mbajtur pushtetin bëri dhe ndryshimet kushtetuese, (e zëmë për një moment, që ai do të bëjë çdo gjë sipas oreksit të tij, duke injoruar Këshillin Politik), që njëjtë si në Maqedoni, ia japin të drejtën për të krijuar qeverinë partisë me më shumë vota.

Sepse, ai beson akoma që PS është ende parti e parë edhe pas tetë viteve qeverisje katastrofike që e kanë defaktorizuar rolin e Shqipërisë në rajon dhe e kanë shndërruar Shqipërinë në vendin më të varfër në Ballkan.

Këtë e bën duke injoruar dhe formulat elektorale të mirënjohura, që mund të aplikohen, përmes të cilave PD del me garanci 100% parti e parë.

Me sa duket, ai harron se kur Gruevski bëri betejë për të rifituar pushtetin dhe ishte shumë afër tij, pasi doli parti e parë dhe ai kishte ekskluzivitetin e krijimit të qeverisë, ai nuk ia doli dot të krijojë qeverinë.

Kjo sepse perëndimi i ndaloi shqiptarët të bashkohen me Gruevskin dhe i motivoi të bashkohen me opozitën dhe sot të gjithë e dimë se kush e qeveris Shkupin dhe se si ka përfunduar Gruevski.

Pra, është e qartë që vullneti i perëndimit kundër një lideri anti-perëndimor, përkundër nacionalizmave dhe sovranizmave tona boshe dhe patetike, është i pandalshëm.

Kjo jo sepse perëndimi nuk respekton sovranitetin e çdo vendi, por sepse çdo vend është i detyruar të respektojë partneritetin me bashkësinë e vendeve ku dëshiron të aderojë. Kjo është krejt e natyrshme aq më tepër kur kemi 30 vjet që presim në dyert e Europës dhe tani jemi më afër se kurrë në pritje të hapjes së negociatave.

Pra, në çdo rast ai është i ikur, por qëllimi është që të ikë me sa më pak kosto për vendin dhe për këtë pergjegjësinë e ka vetëm Opozita, e cila përballë disavantazheve, që po i sjell ky qëndrim, në fakt po tregohet shumë e matur dhe nuk po bie prè e provokimeve shumë të rënda ,që mund t’i shkaktojnë vendit një kosto të pakthyeshme.