Deklarata e fortë, Kemp: Grupet e krimit të organizuar nga Shqipëria në tregjet e mëdha botërore

Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, tha të premten se grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor po veprojnë gjithnjë e më shumë gjithandej nëpër botë duke u shndërruar në lojtarë të mëdhenj dhe konkurrentë të fuqishëm në botën e krimit.

Hartuesi i këtij raporti me titullin “Tentakulat Ndërkombëtare: Zonat Problematike të Krimit të Organizuar nga Vendet e Ballkanit Perëndimor”, Walter Kemp, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se Ballkani nuk është treg i madh për krimin e organizuar por ka shume grupe nga ky rajon që janë të përfshirë në veprimtari kriminale në zona të ndryshme gjithandej në botë. Popullsia e re si në Shqipëri dhe Kosovë, thotë ai, çon në lëvizje të njerëzve në kërkim të një jete më të mirë, ndonëse një përqindje e vogël përfshihet në krimin e organizuar.

Por, kur mendoni për lëvizjet e vendeve nga rajoni në disa valë që nga vitet e 90-ta, keni komunitete të gjera të diasporës ku, disa përfshihen në krimin e organizuar. Ajo që është më interesante janë vendet ku nuk keni diasporë si ta zëmë në Amerikën Latine dhe viteve të fundit mund të shihni grupe nga Shqipëria, Serbia e Mali i Zi të përfshirë posaçërisht në trafikun me kokainë”.

Zoti Kemp thotë se grupet ta zëmë nga Shqipëria apo Serbia, 20 vjet më parë ishin korrierë apo plaçkitës të vegjël.

Ndërsa në 20 vitet e fundit janë shndërruar në lojtarë të mëdhenj, furnizues që shkojnë drejt në burimet e furnizimeve si për shembull në Ekuador apo në Kolumbi dhe pastaj përfshihen në shpërndarjen nëpërmjet porteve kryesore të Evropës Perëndimore, madje në disa raste edhe në shitjen me pakicë. Duket se këtë e kanë bërë në rrugë shumë të efektshme duke ulur çmimet dhe duke u bërë më konkurrentë sesa grupet e tjera kriminale”.

Raporti i referohet faktit se nuk ka një kartel të madh ballkanik, por sipas zotit Kemp, qartazi që ka shumë grupe të vogla që janë shumë të zgjuara, shumë të efektshëm, shpesh duke përdorur identitete të vjedhura dhe bashkëpunojnë më grupet lokale. Dhe qartazi nuk ka shumë përplasje ndëretnike ndërmjet grupeve, tha ai, duke theksuar se dallimi është që në Ballkanin Perëndimor ka një treg shumë të vogël dhe së këndejmi një konkurrencë më të fuqishme. Por kur grupet dalin në një situatë globale ku mundësitë janë shumë më të mëdha, “jo domosdoshmërisht i hidhen në qafë njëri tjetrit”.

Zoti Kemp thotë se një nga përfundimet e raportit është nevoja për një bashkëpunim më të madh ndërkombëtar për të sqaruar se çfarë ndodhë me paratë që fitohen jashtë. Ai tha se problemet me grupet kriminale nuk janë të të lehta për t’u zgjidhur.

“Nuk është një situatë që mund të zgjidhet vetëm duke arrestuar njerëzit, por duhet trajtuar tërë ekosistemin, brishtësinë socio ekonomike, politikat ekonomike dhe tu ofrosh njerëzve alternativa të qëndrueshme. Kjo është një çështje që kërkon përqendrim në zhvillim dhe sundim të ligjit. Në përgjithësi kemi parë zhvillime pozitive në vendet si Shqipëria dhe Kosova, por raporti nënvizon faktin se ka ende mjaft veprimtari kriminale në rajon por edhe jashtë tij”.

Të gjashtë vendet Ballkanit Perëndimor të përfshira në raport aspirojnë integrimet evropiane por përballen ende me shkallë të lartë të korrupsionit që krijon lehtësi për grupet kriminale. Zoti Kemp thotë se këto veprimtari janë të njohura nga Bashkimi Evropian dhe janë bërë përpjekje për të punuar me këto vende edhe nëpërmjet procesit të Berlinit.

Mund ta shihni në raport se vendet e Evropës Perëndimore kanë interes të trajtojnë këto çështje sepse këto grupe veprojnë në vende si Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania etj. Por më duhet të them se shumë kërkesa për mallrat dhe shërbimet që ofrojnë grupet nga Ballkani Perëndimor shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Prandaj pjesë e zgjidhjes duhet të jetë shkurtimi i kërkesave nga vendet e BE-së”.

Zotri Kemp thotë se ka faktorë lehtësues në disa vende ku ka një mjedis që e bën më të lehtë veprimin e grupeve kriminale që shpesh janë të lidhura me elitat politike. Por, kjo nuk është veçanti për vendet e Ballkanit Perëndimor, është një trend gjithandej botës, thotë ai.

Kjo e bën më të vështirë përballjen por ka pasur edhe shembuj të mirë të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë, Serbisë e Malit të Zi në operacionet me Interpolin e Europolin dhe gjatë dy viteve të fundit kishte disa goditje ndaj rrjeteve të narkotikëve. Pra bashkëpunimi mund të funksionojë dhe ajo që është më e nevojshme është një përndjekje më e mirë dhe një bashkëpunim më i mirë ndërkombëtar. Por edhe vullnet politik qartazi”.

Ai thotë se ku ka zona të paqëndrueshme apo qeverisje të dobët, veprimtaria kriminale lulëzon dhe kjo ndodhë ta zëmë në veriun e Kosovës. Por nganjëherë njerëzit që duket se nuk pajtohen në publik, ne grupe funksionojnë në mënyrë efektive.

Kemi parë gjatë luftërave ne ish Jugosllavi grupet që luftonin gjatë ditës, bashkëpunonin natën. Nganjëherë ajo që ndodhë mbi tryezë, ndryshe është nën të”.

Raporti vë në pah se grupet kriminale nga rajoni përveç Evropës Perëndimore e Amerikës Latine, shtrihen edhe në Turqi, Afrikë të Jugut e deri në Australi.