“Daja do të flasë me nipin”, letra e avokatit të Shullazit me mesazhe të koduara për Ramën

Vladimir Meçi, mbrojtësi dhe përfaqësuesi i Emiljano Shullazit i është drejtuar me një letër Presidentit të Republikës Ilir Meta, Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Kryeministrit Edi Rama ku i shpreh ‘shqetësime serioze’ të ngjallura nga ligji 108/2018 “Për një shtesë në Ligjin Nr.8328, datë 16.04.1998 ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të të paraburgosurve’ (i ashtuquajtur regjimi 41-BIS) dhe mënyrën e aplikimit të tij për herë të parë ndaj të mbrojturit prej tij Emiljano Shullazi.

Meçi shkruan në letrën e tij të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala për “BalkaNWeb” se regjimi 41-BIS dhe mënyra se si ai po aplikohet ndaj të përfaqësuarit prej tij Emiljano Shullazi, padrejtësia u bë shumë e madhe.

Letra e avokatit të Shullazit për nga mënyra se si ëhstë shkruar përcjell mesazhe të koduara direkt për Ramën. Nuk duhet harruar se Shullazi ka qenë një nga njerëzit më të afërt të Ramës në fushatat elektorale. Përgjigjen se kush ëhstë “daja” që ërkon të takohet me nipin mund ta dijë vetëm Rama dhe vetë Shullazi, që ja ka kujtuar këtë Ramës.

Ai e bazon në disa pika, një prej tyre kontakti me anëtarë të organizatës kriminale që është shprehur dhe në arsyetimin e Ministrisë së Drejtësisë, për të cilin thotë se kontaktet janë nipi, miku dhe kushëriri i tij të akuzuar njëkohësisht me të. Po kështu tek fakti që për Shullazin nuk ka një vendim të formës së prerë dhe po ashtu dhe tek sjellja e tij në burg ku nuk ka asnjë vërejtje. Ai flet për paqartësi dhe shkelje të të drejtave tek ligji për sistemin 41-BIS.

“Transferimi i të mbrojturit dhe përfaqësuarit prej meje në këtë regjim, është bërë me anë të urdhrit Nr.253, datë 28.07.2020, të Ministrit të Drejtësisë, ‘Për vendosjen në Regjimin e Posaçëm të Ushtrimit të të Drejtave në Burgun e sigurisë së Lartë për të paraburgosurin Emiljano Shullazi’.

Urdhri i mësipërm i Ministrit të Drejtësisë është ekzekutuar në datën 01.08.2020 dhe i paraburgosuri Emiljano Shullazi si dhe avokati i tij mbrojtës, kanë marrë njoftim në të njëjtën datë…Si ligji edhe zbatimi i tij, kanë nxjerrë në pah disa probleme të rëndësishme, për të cilat dëshiroj të tërheq vëmendjen tuaj. Urdhri i Ministrit të Drejtësisë, si në formë edhe në përmbajtje është i kundraligjshëm dhe abuziv dhe ne e kemi kundërshtuar tashmë gjyqësisht për këto kundraligjshmëri.

…Ligji parashikon një seri masash të zbatueshme për të burgosurit që i nënshtrohen regjimit të ashpër të burgut. Të ‘kufizuarit’ në 41-BIS vendosen në izolim, pra hiqen nga të burgosurit e tjerë që i nënshtrohen regjimit të zakonshëm, duke u vendosur në një qeli të vetme pa qasje në zona të zakonshme dhe monitorohen vazhdimisht nga një forcë speciale e policisë së burgut. Por kjo, vetëm pasi të jetë vërtetuar që i paraburgosuri të ketë kryer veprime të kundraligjshme, që synojnë në vijimin e aktivitetit kriminal për të cilin akuzohen.

Përveç kësaj, pengimi i këtyre subjekteve që të komunikojnë brenda dhe jashtë ambientit të burgut duhet domosdoshmërisht t’i lidhë komunikimet apo takimet me një aktivitet kriminal! Jo çdo komunikim apo takim përbën shkak për vendosjen e subjektit në regjimin e posaçëm. Në këtë pikë ligji është i paqartë!”, shkruhet në letër.

Duke iu rikthyer çështjes së klientit të tij, avokati Meçi shkruan se: “Ajo që thuhet në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë për Emiljano Shullazin, se ‘subjekti mban komunikime/kontakte me organizatën kriminale ku bën pjesë dhe me organizata të tjera, si dhe me të paraburgosurit e tjerë, të cilë i përkasin së njëjtës organizatë dhe organizatave të tjera me të cilat bashkëpunojnë’, është e paplotë dhe nuk vërteton qëllimin e këtyre kontakteve apo komunikimeve.

Emiljano Shullazi ka qenë i paraburgosur në IEVP 313 ‘Jordan Misja’ bashkë me të kanë qenë në të njëjtin institucion edhe nipi i tij, Endrit Zela, shoku i fmëijërisë Gilmando Dani dhe kushëriri i tij Blerim Shullazi, të gjithë këta sipas gjykatës së shkallës së Parë, ‘pjesë e një grupi të strukturuar krimina’. Nëse ministri e ka fjalën për këta persona, të cilët ‘janë pjesë e së njëjtës organizatë kriminale’, kujtojmë se mes qenieve njerëzore ka edhe marrëdhënie njerëzore, daja do e takojë dhe do flasë me nipin e tij, do kujdeset për të dhe kjo nuk mund të quhet as kriminale, as e kundraligjshme.

Nëse Ministri e ka fjalën për ‘Organizata të tjera kriminale’, duhet të arsyetojë dhe të shprehet qartë se për cilat organizata e ka fjalën, a ka të tilla të proceduara penalisht apo edhe të dënuara me vendim të formës së prerë? Së fundmi, duhet të na thotë se a kanë pasur këto komunikime dhe kontakte qëllim kryerjen e veprave kriminale a terroriste?”, shprehet avokati.

Sipas tij, Emiljano Shullazi ka në paraburgim plot 4 vjet e 3 muaj, në dy vjet e gjysmë ka qenë edhe i punësuar në bibliotekën e burgut dhe nuk ka asnjë vërejtje apo masë disiplinore për shkelje të rregullores ndaj tij. “Si ta shpjegojmë që ky individ ka respektuar me përpikmëri rregulloren nga njëra anë dhe një ditë të bukur me diell, si ‘rrufe në qiell të pastër’, u bë ‘armiku publik’ që duhej patjetër të izolohej në regjimin e posaçëm 41-BIS”, shkruan Meçi.

Ai kërkon reflektim dhe rishikim të ligjit si dhe për modalitetet e aplikimit të tij.