Reagimi i fortë i Berishës: Rama, armik i Kosovës, Thaçi, peng i dojes së tij. Intervista e plotë

SEFER ZOGAJ

Gazeta Online Insajderi.com ka realizuar një intervistë ekskluzive me ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Themeluesi dhe udhëheqësi për shumë vjet i Partisë Demokratike ka folur për zhvillimet në Shqipëri, ato në Kosovë dhe problematikat që i kanë të dyja vendet.

Sali Berisha njihet si një nga politikanët më me ndikim në historinë e re të shqiptarëve e kombit shqiptar. Në mes të lëvdatave, kritikave e akuzave të ashpra ndaj tij, Berisha operon çdo ditë në jetën publike në Shqipëri, por është aktiv edhe mbi ngjarjet që ndodhin jashtë Shqipërisë.

Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Online Insajderi.com, Berisha, ka rrahur çështje të ndryshme që lidhen me menaxhimin e pandemisë dhe rindërtimi i Shqipërisë pas tërmetit, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë si dhe divergjencat në mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ideja për “korrigjimin e kufijve” etj.

“Terror psikologjik ndaj qytetareve”, e quan Berisha menaxhimin e pandemisë nga Qeveria Rama.

Sipas ish-kryeministrit, Berisha, Rama ka dështuar në administrimin e situatës me COVID-19. Shqipëria përpos përballjes me virusin, në të njëjtën kohë e ka sfidë edhe rindërtimin e disa zonave pas tërmetit shkatërrues të nëntorit të vitit të kaluar. Berisha ka shprehur falënderim ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë ka kërkuar që të kenë kujdes te paratë e tyre pasi, sipas tij, Qeveria Rama është njëra nga qeveritë më të korruptuara në botë.

Sipas Berishës, Kosova dhe Shqipëria kanë pasur mundësi të bashkëpunojnë më shumë në menaxhimin e pandemisë COVID-19, por ai beson se vendimet e Tiranës për Kosovën “vijnë nga Beogradi”.

“Rama është armik i Kosovës”, s’heziton të thotë ish-lideri i Partisë Demokratike në Shqipëri.

Sali Berisha ka qenë shumë i zhurmshëm edhe në pretendimin se mbrapa idesë së korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qëndron presidenti serb, Aleksander Vuçiq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Sipas ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, personat e lartë-cekur janë “tradhtarë të kombit”, pasi sipas tij dëshironin “ta ndanin” Kosovën.

Në bazë të asaj që Berisha thotë; ekziston një komplot për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Raportet e këqija në mes dy ish-kryeministrave të dy shteteve shqiptare, Sali Berishës dhe Hashim Thaçit, u theksuan kur filloi debati publik rreth idesë për “korrigjimin e kufijve”.

Thaçi ka akuzuar Berishën si bashkëpunëtor i ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviqit, ndërsa Berisha Thaçin si bashkëpunëtor të Vuçiqit në ndarjen e Kosovës.

Përkundër kësaj, Berisha mendon se propozim-aktakuza ndaj presidentit të Kosovës nga Gjykata Speciale është e padrejtë.

Thotë se këto aktakuza bazohen tek raporti i Dick Martit që e cilëson “serbofil”, por kritika shkon edhe për presidentin Thaçi për mos paditjen e Serbisë për gjenocid.

Berisha shtoi se Thaçi nuk shkoi në Gjykatën Speciale si qytetar i thjesht, por si president. Të ngjashmen e kishte thënë edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti – të cilin Berisha vazhdon ta konsiderojë “kafshë politike”.

Intervista e plotë me Sali Berishën

Si e vlerësoni menaxhimin e pandemisë COVID-19 në Shqipëri?

Menaxhimi i pandemisë COVID-19 në Shqipëri përveç përpjekjeve të mjekëve dhe personelit mjekësor në spitale, COVID-19 ishte “fake menaxhim”. Këtu me poshtë po rendis disa nga problemet madhore.

Së pari qeveria nuk mori absolutisht asnjë masë përgatitore për përballimin e saj me sigurimin e kiteve për testimin e gjerë epidemiologjik, sigurimin e materialeve mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe maskave për popullatën.

Kjo bëri që pandemia të dalë jashtë kontrollit, që QSUT, qendra më e madhe mjekësore e vendit, por edhe qendra të tjera të shndërrohen në bomba biologjike, gjeneratorë të fuqishëm të përhapjes së pandemisë së COVID-19 dhe Shqipëria të ketë numrin më të lartë të personelit mjekësor të infektuar.

Se dyti, në vend të përpjekjeve serioze shkencërisht të bazuara për ndërgjegjësimin e popullatës për mbrojtjen nga Covid-19, Edvin Kristaq Rama, zgjodhi strategjinë e terrorit psikologjik dhe jo vetëm psikologjik, ai nxori tanket në rrugë, përdori gazin lotsjellës kundër qytetareve dhe mbante nga Sarajet e Surrelit fjalime çdo ditë në ekranin e ERTV, në të cilat si i sëmurë psikik fliste për 18 mijë të vdekur, male me kufoma, mortje që do na grijë si mish qeni etj.

Ai beri që me gënjeshtrat e tij qytetarët të mos besojnë më asgjë dhe faktikisht kjo po ndihmon përhapjen e COVID-19 në Shqipëri.

Se treti, Edvini manipulonte çdo shifër të dhënë numrin e të infektuarve, e të vdekurve, nuk lejoi decentralizimin e testimit, i cili mund të bëhej së paku në 12 institucione publike dhe private të vendit. Pra qeveria në tërësi, për ata që njohin alfën e epidemiologjisë së një sëmundje infektive, qëndroi në anën e pandemisë dhe jo të qytetareve.

A ka hapësirë që Shqipëria dhe Kosova të bashkëpunojnë më shumë në luftimin e COVID-19?

Sigurisht qe ka por, Edvin Kristaq Rama, është armik i Kosovës. Ai me urdhër te Beogradit refuzoi bashkëpunimin e kërkuar që në fillim nga Qeveria e Kosovës. Sot të gjitha vendimet e Tiranës zyrtare për Kosovën merren në Beograd.

Si po shkon sipas jush rindërtimi në Shqipëri pas tërmetit të vitit të kaluar?

Se pari dua t’i shpreh një mirënjohje të veçantë komunitetit ndërkombëtar për ndihmën e dhënë dhe bujarinë e treguar ndaj shqiptarëve në ketë fatkeqësi natyrore dhe t’i bëjë thirrje këtij komuniteti të kontrollojë çdo qindarkë që ndihmat e tij të mos përfundojnë, siç po ndodh sot, në vrimat e zeza të korrupsionit të njërës prej qeverive me të korruptuara të planetit. Ajo çka mund t’ju them është se deri tani, përveç bujarisë të miqve dhe partnereve tanë, te tjerat janë vjedh me mashtrime te binomit Rama -Ahmetaj dhe lukunisë përreth tyre.

Përse e keni akuzuar kryeministrin Edi Rama si bashkëpunëtor të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq-it e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për “ndarjen e Kosovës”?

Mendoj se nuk i kam akuzuar unë, por për çdo njeri i civilizuar që konsideron tradhti kombëtare në planet për copëtimin e integritetit territorial të vendit, sovranitetit të tij në favor dhe për interesa të kundërshtarit apo armikut, është e qartë si drita e diellit se Hashim Thaçi dhe Edvin Kristaq Rama të dy ata dhe Baton Haxhiu, si argatë të Beogradit kanë faktuar se kanë kryer aktin e lartë të tradhtisë kombëtare. Kjo treshe tradhtare e rrezikshme beri gjithçka para syve të shqiptarëve dhe mbarë botës për ndarjen e Kosovës, zmadhimin e Serbisë duke i marrë territore shtetit te pavarur të Kosovës dhe pasi dështoi me turp botëror në Samitin e Berlinit dolën në treg me projektin e ri të padronit të tyre të Serbisë së Madhe apo Mini Jugosllavisë me emër Shengeni Ballkanik, me të cilën Kosovën e fshinë nga harta si shtet i pavarur, ndezën luftën e ftohte midis Tiranës dhe Prishtinës, vendosen ketë të fundit midis dy zjarreve.

Kështu që rreziku kalon vetëm pasi të gjykohen dhe të ndëshkohen Zografi bis, Miladini shqipfolës dhe Baton Stanishiq për aktin e lartë të tradhtisë së tyre kombëtare.

Cili është gjykimi i juaj për propozim-aktakuzat e Gjykatës Speciale ndaj presidentit, Hashim Thaçi?

Mendoj se aktakuza ndaj Hashim Thaçit nuk është as e re dhe as e papritur. Kjo aktakuzë ka në bazë raportin e senatorit filoserb Dick Marti, raport i cili siç dihet u pranua nga komuniteti ndërkombëtar jo si i vërtetë, por si një dokument akuzat e të cilit duhen verifikuar dhe dihet se vërtetimin përfundimtar të tyre bënte gjykata.

Personalisht raportin e Dick Martit e kam denoncuar në të gjitha forumet ndërkombëtare si raport të pavërtetë, të hartuar nga prokurori i Beogradit Vukçieviç por kjo nuk rrezoi raportin në fjalë.

Hashim Thaçi nuk ngriti padi kundër Senatorit serbofil Dick Marti. Përveç këtyre shtoj se në Kosovë çdo ditë janë bërë dhe bëhen akuza e kundër akuza publike se “ti ke vrarë këtë e tjetri atë person”. Po kështu është e pamohueshme se në Kosovë, edhe pas hyrjes së NATO-së dhe çlirimit të saj, vrasje e rrëmbime etj janë bërë dhe hetimi i tyre është një detyrim i pashmangshëm për një vend qe meriton të ardhme. Ndaj dhe mendoj se aktakuza ishte e paralajmëruar, sikundër uroj dhe besoj se gjykata do hedhë poshtë atë dhe do te shpallë pafajësinë e tyre siç ka ndodhur me rastin e aktakuzave te Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës ndaj udhëheqësve të tjerë të Kosovës.

Por, unë gjithashtu jam kundër përpjekjeve për të paraqitur aktakuzën si aktakuzë kundër UÇK dhe luftës së saj çlirimtare. Ketë nuk mund ta bëjnë njerëz që i besojnë lirisë, dhe prokuroret dhe gjykatësit e Hagës të tillë janë. Aktakuza është individuale. UÇK dhe lufta e saj shënojnë faqen më të ndritur të përpjekjes së shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar që nga koha e Skënderbeut deri sot. Lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë kundër një pushtuesi barbar, për ndëshkimin dhe kapitullimin e të cilit Aleanca e Atlantikut të Veriut angazhoi fuqinë e saj ajrore.

Duke thënë këto të vërteta, shtoj gjithashtu se nuk ka luftë pa gabime apo edhe krime të cilat nuk kanë te bëjnë me historinë, por me gjykatat.

Si kundër jam i sigurt se Beogradi, Moska dhe qarqe filoserbe dhe antishqiptare bëjnë gjithçka për të nxirë ketë luftë heroike.

Por, unë mendoj gjithashtu se, përpjekjet për të abroguar ligjin e Gjykatës Speciale, apo e shpalljes në kuadrin e një marrëveshje të përgjithshme Kosove – Serbi të një amnistie reciproke të krimeve të parashikuara në konventat ndërkombëtare të kryera, aludimet ndaj Gjykatës së vet apo e përdorur nga dikush po përpiqet të rishkruajë historinë, ulja për katër ditë me radhe para hetuesit në Hagë jo si qytetar i thjeshtë por si president i vendit, vizita blic me urdhër te Vuçiç e Zografit Bis në Prishtinë, dëmtojnë më shumë se sa çdo aktakuzë individuale reputacionin e Kosovës dhe çojnë ujë në mullirin e Beogradit.

Cili është mendimi juaj rreth dialogut Kosovë-Serbi i iniciuar tash nga Bashkimi Evropian dhe sa janë të dëmshme për Kosovën divergjencat e pretenduara ndërmjet SHBA-së dhe Bashkimit Evropian sa i përket dialogut?

Rifillimi i dialogut të iniciuar nga BE, të ndërprerë kohë më parë, është zhvillim pozitiv. Kam qenë dhe mbetëm gjithnjë i bindur se një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë ka një rendësi të dorës së parë për të dy vendet dhe stabilitetin rajonal. Sikundër jam i bindur se Kosova, viktimë e barbarive serbe, kurrë nuk duhet te pranojë një marrëveshje të keqe si ajo qe donin t’i impononin Beogradi dhe argatët e tij shqipfolës me tezen kapitulluese e poshtëruese se çdo marrëveshje është më e mire se sa pa marrëveshje.

Bashkimi Evropian ka udhëhequr dialogun që në fillimet e tij, në vitet e para u arritën dhjetëra marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat dëshmonin se de facto Beogradi ka njohur Kosovën. Progresi u ndërpre vitet e fundit pasi Beogradi, në zbatim te projektit të Serbisë së Madhe, kërkoi zmadhimin e Serbisë ne kurriz te territorit të Kosovës.

Në suksesin e tij më të madh diplomatik të 30 viteve të fundit, projektin, hartën e re dhe flamurin e Serbisë se Madhe serbomadhi Vuçiç arriti t’ua serviri të tretave nëpërmjet trojkës së argatëve shqipfolës Hashim Thaçi, Edvin Rama dhe Baton Haxhiu, si projekt shqiptar dhe kjo për faktin e vetëm se ai kishte peng Hashim Thaçin me dosjen që i kishte dorëzuar Vukçieviç Senatorit Dick Marti dhe më pas Gjykatës se Hagës.

Fatmirësisht projekti krijimit të Serbisë së Madhe nëpërmjet aneksimit apo dhurimit te territoreve të Kosovës nga trojka shqipfolëse u hodh poshtë në Samitin e Berlinit. Pas dështimit për te shitur në Berlin ketë projekt, Vuçiq dhe argatët e tij mobilizuan përpjekje dhe resurse të mëdha për të gjetur mbështetje dhe nisen të shesin si paçebërës projektin e tyre në Uashington.

Në fakt aty, siç rezulton, arritën te gjejnë mirëkuptimin e ish Këshilltarit te Sigurisë Kombëtare, John Bolton, publikisht i njohur për qëndrimet e tij në të shkuarën jo të favorshme për Kosovën. Zoti Bolton në një intervistë të tij pohoi se ai e pranoi idenë e shkëmbimit të territoreve pasi për të kishin renë dakord të dy palët dhe në pamje të parë kjo duket e arsyeshme.

Mirëpo e vërteta është se si rrallë ndonjëherë në histori, në ketë rast kishte jo dy por vetëm një palë. Aty ishte vetëm pala serbe me argatët e vetë shpifolës sepse ne Kosovë atë projekt përveç Thaçit dhe Baton Haxhiut nuk e përkrahte asnjë institucion, asnjë forcë politike përfshirë këtu PDK-në dhe udhëheqjen e saj.

Po kështu në Shqipëri, projektin e zmadhimit të Serbisë nëpërmjet “shkëmbimit” të territoreve me Kosovën e përkrah vetëm Zografi bis dhe asnjëri tjetër. Ky i fundit kishte rënë dakord me Vuçiqin të ndanin Kosovën.

Përveç këtyre ideja e shkëmbimit të territoreve midis Serbisë dhe Kosovës nënkupton spastrim etnik dhe vendosjen e kufijve sipas linjave etnikisht të pastra ndërkohë që kjo bie ndesh me parimet universale që njerëzit e lirë besojnë dhe mbrojnë dhe krijonte një precedent të rrezikshëm në rajon.

Asnjëri nuk duhet të pranojë spastrimin etnik se atë e pranon Aleksander Vuçiq, një serbomadh sa vetë Millosheviqi, për të cilin para parimit të Serbisë se Madhe parimet e tjera nuk ekzistojnë. Ky parim nuk mund të pranohet as dhe sepse atë e pranon Thaçi, i cili është peng i dosjes së tij të përgatitur nga padroni i tij dhe kur vjen puna për interesin e tij personal është i aftë të shkelmojë kushtetutën dhe shesim tërësinë territoriale të Kosovës dhe sovranitetin e saj.

Le të kthehemi tek pyetja juaj mbi mosmarrëveshjet Evropë-SHBA. Unë e di mirë se SHBA kanë ndjekur me interes të veçantë dhe mbështetur fort dhe që në fillim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE. Në raste mund të flasim për mosmarrëveshje, ato u krijuan së fundi për çështjen e korrigjimit të kufijve të Kosovës, e cila del se gjeti një mbështetje tek ish Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA, por siç rezulton nga deklarata të përsëritura të establishmentit amerikan, jo nga institucionet tjera të këtij vendi dhe sot me largimin e Bolton, këto mosmarrëveshje nuk ekzistojnë.

Personalisht e kam konsideruar dhe e konsideroj të domosdoshme pjesëmarrjen aktive të SHBA në procesin e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.

Të gjitha marrëveshjet e dekadave të fundit në Ballkan janë arritur me angazhimin direkt dhe kontributin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve.

Nuk mund të bëhet asnjë krahasim midis pjesëmarrjes së SHBA dhe Rusisë në këtë proces. Rusia nuk ka njohur Kosovën, mban qëndrim jo miqësor ndaj saj dhe mbështet verbërisht Serbinë si një Rusi te vogël në Ballkan.

Mendoj se marrëveshja Kosovë – Serbi mund të arrihet vetëm si marrëveshje midis dy vendeve sovrane dhe të pavarura. Në vlerësimin tim, pengesë kryesore e kësaj marrëveshje janë përpjekjet e Vuçiqit për Serbinë e Madhe, zmadhimi i Serbisë me territore të shtetit të pavarur të Kosovës, qëndrimi zuzar i Beogradit ndaj vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, në të cilën është pale paditëse për pavarësinë e Kosovës dhe mosnjohja nga Beogradi i barbarive dhe dëmeve të mëdha që i shkaktoi Kosovës agresioni i tij, si heqja dorë nga keqpërdorimi dhe manipulimi i serbëve në veri të Kosovës dhe bandave të tyre për qëllime politike, kriminale nga Beogradi.

Detyrimi i Kosovës është garantimi i lirive dhe të drejtave të serbeve në Kosovë, të cilat në kuadrin ligjor dhe kushtetues të Kosovës janë më të gjëra se sa të çdo minoriteti në Evropë dhe mbrojtja e trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës që është njëkohësisht trashëgimi e qytetërimit evropian.

Si e shihni kalimin e Albin Kurtit në opozitë, të cilin një herë e keni quajtur edhe “kafshë politike”?

Për Albin Kurtin kam thënë se është kafshë politike. Po unë atë përshtypje e kam pasur para dhe pas zgjedhjeve dhe vazhdoj ta kem edhe sot.