Beqaj: Ushtria të ndërhyjë kundër “shkuma party”

Janë të freskëta në kujtesëne gjithësecilit pamjet e ditëve të para të karantinës nga mesi i marsit, kur në rrugët e kryqytetit dolën mjetet e blinduara të ushtrisë. Në majë të tyre qëndronte një ushtar me mitraloz dhe për ca ditë bënte xhiro nëpër Tiranë.

U kuptua shpejt se “lufta” me Covid nuk bëhej as me mitralozë dhe as me pushkë dhe mjetet e blinduara u kthyen në bazat ushtarake, si një lëvizje që del bllof. Por duket se një përfaqësues i Rilindjes nuk është bindur, ndaj e ka rihapur edhe një herë këtë temë.

Në studion e abcnews, Ilir Beqja u shfaq i irrituar me të rinjtë që bëjnë “shkuma party” dhe që festojnë në orët e drekës nëpër plazhe, pishina, “beach bar”, lokale, festa restorantesh etj. Për t’i ndalur këto, Beqja kërkoi ndërhyrjen e ushtrisë, sepse policia nuk po ia del dot, siç u shpreh ai.

Nuk dihet se çfarë i ka ndodhur Ilir Beqes kohët e fundit, por herë pas here, ai “godet” në publik me deklarata jo shumë normale. Pak kohë më parë, kërkoi që sakrifica për pasojat e karantinës në ekonomi, të shpërndahej mes shtresave, duke mos përjashtuar uljen e pensioneve. Nuk kaloi shumë dhe propozoi shtimin e ditëve të pushimit për administratën (tre ditë në javë), ndërsa tani kërkon të nxjerrë ushtrinë në rrugë kundër të rinjve që bëjnë shkuma party.