Andrea Pirlo, traineri i ri i Juventusit, nisin spastrimet në skuadër

Ndryshime të mëdha pritet të ndodhin në skuadrën e Juventusit para fillimit të sezonit të ri. Pas shkarkimit të trajnerit Maurizio Sarri, dera do t’u tregohet edhe disa futbollistëve.

La Gazzetta dello Sport dhe Tuttosport raportojnë për një sërë largimesh. Blaise Matuidi, Gonzalo Higuain, Sami Khedira, Mattia de Sciglio dhe Alex Sandro, janë disa prej emrave që mund të largohen këtë verë.

Sipas Sky Italia, mesfushori francez pritet ta vazhdojë karrierën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te Inter Miami dhe madje marrëveshja mund të arrihet në një të ardhme të afërt.

Blaise Matuidi, Gonzalo Higuain e Mattia De Sciglio, disa nga lojtarët që pritet të largohen (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Douglas Costa është një tjetër emër që mund të largohet, ndërsa Manchester Unitedi e konsideron si opsion në rast të dështimit të transferimit të Jadon Sanchos nga Borussia Dortmundi.

SportMediaset ka raportuar se Real Madridi është duke u angazhuar për shërbimet e Paulo Dybalas. Sipas njoftimit, Los Blancos janë të interesuar të ofrojnë 100 milionë euro dhe në marrëveshje ta përfshijnë Toni Kroosin apo Iscon për shërbimet e argjentinasit.

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli dhe trajneri i ri, Andrea Pirlo (Foto: Instagram/andreapirlo21)

Nga ana tjetër, mesfushori spanjoll është preferencë e Andrea Pirlos, prandaj dy palët mund të negociojnë lidhur me shkëmbimin e mundshëm.

Një tjetër emër në listën e trajnerit italian është edhe talenti i Brescias, Sandro Tonali, të cilin e ka kërkuar nga bordi i klubit. Çmimi i tij është rreth 50 milionë euro, ndërsa 20-vjeçari kërkohet edhe nga Milani dhe Interi.