32400 biznese janë mbyllur, Vasili: Oligarkët vijojnë të marrin tendera…

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili ka reaguar pas informacioneve se 32400 biznese janë mbyllur deri në fund të muajit korrik, si rezultat i të cilave kanë humbur vendet e punës rreth 60 mijë shqiptarë.

Vasili tha se shifra të tilla, të cilat tregojnë se gati 73% e vendeve të humbura janë biznese të vogla, flasim për situatën shumë të rëndë në të cilën ndodhet në mënyrë të veçantë biznesi i vogël.

“Shifrat flasin qartë, nga 112 mijë biznese që ishin muajin korrik, janë vetëm 79.600 prej tyre, pra gati 30% më pak, pra 1/3 e bizneseve janë mbyllur.

Kjo është një shifër që nuk shikohej në Shqipëri prej më shumë se një 10-vjeçar e më tej. Këtij fakti i shtohet dhe kriza e dukshme e fasonerisë në Shqipëri ndërkohë që është një fakt tjetër publik që detyrimet financiare të qytetarëve duhet të vazhdojnë të paguhen rregullisht, pra qytetarët hynë në borxhe njëri më i rëndë se tjetri pa pasur asnjë mundësi ekonomike që ti përballojë ato.

Gjithashtu duhet theksuar që për sa i takon bizneseve një numër i madh biznesesh në mënyrë të veçantë biznese të vogla me apo pa tvsh, ku në përgjithësi kjo rënie është 37% dhe në mënyrë të veçantë bizneset pa tvsh, bizneset e vogla ato që ne kemi quajtur me të drejtë biznese mbijetese, kjo shifër arrin shifrën e 44%”, tha Vasili.

Në vijim ai shtoi se ndërkohë me oligarkët, me ata që janë klientë të qeverisë, nuk ka ndodhur asgjë, përkundrazi kanë vazhduar të marrin tendera, koncesione pa fund, tendera sekret, procedura, prokurime të cilat u dhurojnë para pa fund dhe atyre nuk u ka hyrë asnjë gjemb në këmbë, kanë bërë pushimet e tyre luksoze si gjithmonë, ndërkohë që mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë nuk kanë mundur që të bëjnë qoftë dhe një ditë të vetme pushim.

“Është fare e qartë që ekonomia është drejt kolapsit dhe kriza sociale është më e rënda që mund të jetë instaluar ndonjëherë në Shqipëri. Të gjithë e kuptojnë, ne jemi në shtator, mijëra familje nuk do kenë mundësi të blejnë gjërat më të domosdoshme për fëmijët e tyre për ti çuar në shkollë, pasi shkolla po troket, mijëra familje tani kanë prej muajsh por ndërkohë situata përkeqësohet dhe më tej, kanë probleme me ushqimin dhe sigurimin e ushqimit të përditshëm.

Mijëra familje të tjera nënushqehen, pra ushqehen shumë pak, marrin ushqimin e mbijetesës, ndërkohë që jemi dhe në një situatë pandemie, ku sigurisht një ushqyerje normale do të ishte një nga premisat minimale për të pasur një gjendje të qëndrueshme edhe shëndetësore për të përballuar një situatë tërësisht edhe kjo të paparashikuar jashtë kontrollit dhe është fare e qartë që sot Shqipëria përballet me një mungesë absolute qeverisje pasi alternativa e qeverisë është ti lëmë të gjithë qytetarët mes katër rrugëve dhe ata kush të jetojë të jetojë dhe kush mos të jetojë, le të mos jetojë pra le të vdesë, me pikëpamje të mbështetjes financiare të tyre.

Nuk ka asnjë alternativë dhe asnjë zgjidhje tjetër për këdo qytetar përveç se përmbysjes së këtij regjimi pasi iluzioni se këta do të ndihmojnë dikë apo do t’i heqin hallin dikujt apo do t’ja lehtësojnë hallin se për të hequr nuk e heqin dot kurrë, është thjesht dhe vetëm një iluzion”, tha ai.