Dokumentat/ Tahiri paguan miliona në SHBA për të lobuar kundër ambasadës amerikane

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka pajtuar një kompani amerikane për të organizuar takime me anëtarët e stafit të disa senatorëve e kongresmenëve amerikane. Bëhet fjalë për kompaninë Stone Strategic Solutions SRL, një kompani që ka të deklaruar si seli kryesore të biznesit një adresë në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht. Tahiri u ka shprehur atyre shqetësimin lidhur me deklaratat e ambasadës amerikane ne Tiranë në procesin gjyqësor ku ndodhet.

Kompania në fjalë ka regjistruar në FARA (Foreign Agents Registration Act), një degë e Departamentit të Drejtësisë në SHBA një shërbim që i ka ofruar ish-ministrit Tahiri, i cili është në një proces gjyqësor ku akuzohet për disa vepra penale. Formulari është marrë në dorëzim në datën 24 gusht të vitit 2020, siç edhe mund të shihet në dokumentin bashkëngjitur. Aty thuhet ndër të tjera se klienti Saimi Tahiri i ka paguar detyrimet paraprakisht si dhe ka rimbursuar shpenzimet e udhëtimit.

Sipas përshkrimit të kompanisë Stone Strategic Solutions, Tahirit i është ofruar shërbimi i takimit me anëtarë të stafit të kongresmenit amerikan Ken Buck, kongresmenes Kathleen Rice e senatorit Ted Cruz.

dokumentiFaksimile nga dokumenti

Ai ka diskutuar me ta çështjet ligjore në Shqipëri, apelet e tij të vijueshme dhe nevojën për personelin e ambasadës amerikane në Tiranë që të frenohet nga komentet teksa individë të huaj janë ende në një proces gjyqësor, duke ruajtur politikën amerikane.

Sipas përshkrimit të kompanisë në fjalë, Tahiri është takuar edhe me drejtorët për Shqipërinë në Departamenti e Shtetit dhe ka diskutuar me ta të njëjtat shqetësime. Duke kërkuar mirëkuptimin e tyre mbi ndikimin e deklaratave të Ambasadës Amerikane në Tiranë ndaj gjykatave në Shqipëri.

Në seancën e 19 shtatorit 2019 kur u dha vendimi për ish-ministrin Saimir Tahiri, në gjykatë ndodheshin dhe dy zonja, të dërguara nga ambasada e Shteteve të Bashkuara për të ndjekur seancën finale të procesit.

Zyrtaret amerikane në seancën gjyqësore të Tahirit

Saimir Tahiri la mandatin e deputetit më 3 maj 2018 pasi ishte nën hetim për për dosjen Habilaj, ndërsa akuzohej nga opozita si përgjegjësi kryesor për kanabizimin e vendit në vitin 2016/Hashtag/