Larg thonjtë e pisët të Edi Ramës nga marrëveshja për detin

Nga Red VARAKU

Në terma të thjeshtë ka tre rrugë për të zgjidhur një çështje që lidhet me ndarjen e kufijve detarë midis dy vendeve. E para është përmes një marrëveshje midis palëve. E dyta përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Detit dhe e treta përmes luftës.

Sigurisht, rruga e parë ashtu si edhe në konfliktet më banale është edhe hapi i parë i natyrshëm, si një përpjekje për të mos shkuar në Gjykatë apo drejt një konflikti, por për tu marrë vesh me njëri tjetrin.

Nëpërmjet rrugës së marrëveshjes qeveritë e vendeve përkatëse bëjnë llogaritë sipas interesave të popujve që ata përfaqësojnë dhe bien dakort.

Këtë bënë fillimisht edhe përfaqësuesit e vendeve tona përkatëse.

Kēshtu në vitin 2009 shteti shqiptar, i përfaqësuar nga kryeministri Sali Berisha tentoi ta zgjidhte këtë situatë përmes një marrëveshjeje, nëpërmjet së cilës grekët zgjeroheshin me gjashtë milje, ndërsa ne jo vetëm eliminonim veton e Greqisë kundër rrugëtimit tonë drejt NATOS dhe BE, por njëkohësisht fitonim dhe mbështetjen e saj në proceset e integrimit.

Të mos harrojmë, kjo qasje ishte para se të zbuloheshin trilionat e gazit, të cilat me marrëveshjen e Berishës, do të ishin sot pjesë e zonës tonë eksluzive ekonomike.

E vërteta është që janë pikërisht trilionat e gazit, ato që zgjuan edhe epshet e kryeministrit tonë hajdut, i cili me nuhatjen e tij, iu vetofrua menjëherë grekëve për një pazar të ri duke tradhtuar interesat e popullit shqiptar dhe duke ia pranuar live këtë të drejtë Greqisë.

Jo rastësisht me daljen e trilionave të gazit në skenë ndryshoi menjëherë edhe qëndrimi i Greqisë në raport me këtë çështje duke ndryshuar kështu rregullat në mes të lojës.

Ata që besojnë dhe propagandojnë se Edi Rama nuk ka asnjë lidhje me këtë qëndrim të ri të Greqisë duke mohuar deklaratën e kryeministrit Mitsotakis në parlamentin grek, nuk janë as të paditur dhe as naivë, janë thjesht mercenarë të paguar me gjakun e këtij populli.

Ndaj, pikërisht për këtë gjë duhet të ndryshojë katërcipërisht edhe qasja jonë si shtet në lidhje me nevojën për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së kufijve tanë detar me Greqinë.

Në asnjë rrethanë qeveria shqiptare nuk duhet të ulet më me qeverinë greke për një marrëveshje të re, por çështja e ndarjes së kufijve detarë duhet dërguar në rastin më të parë në Gjykatën Ndërkombëtare të Detit për një vendim përfundimtar.

Kjo do të ishte rruga më e mirë, pasi në çarkun ku ndodhet sot kryeministri më i korruptuar shqiptar i të gjitha kohërave, është gati të shesë këdo dhe gjithçka për të shpëtuar kokën e tij.

Ndryshe, kjo që po bën tani do të ishte një mundësi e artë për të, ashtu siç ishte dhe nevoja për një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të cilën ai ai e ktheu në funksion të një axhende tërësisht për interesat e tij personale.

Duke e njohur njeriun që kemi sot kryeministër, i cili është një pazarxhi i rëndomtë, që shet këdo për para dhe pushtet, rruga e marrëveshjes nuk duhet të jetë më si alternativë, për shkak se mund të kthehet në pazar për të plotësuar epshet e kryeministrit.

Ajo duhet të zëvendësohet menjëherë me rrugën e dytë, që është dërgimi i këtij problemi në Gjykatën Ndërkombëtare të Detit.

Kjo do të ishte një zgjidhje e drejtë e problemit, sepse çdo zgjidhje nga Gjykata Ndërkombëtare e Detit, jo vetëm që do t’i hiqte nga duart këtij kryeministri mundësinë për të bërë sërish një pazar për interesin e tij personal, por, duke njohur edhe historinë e raporteve tona me grekët, nuk do të paragjykohej nga askush.