Reagimi i fortë nga Brukseli: Rama hedh në erë çeljen e negociatave me BE

Portali i Brukselit i specializuar për procesin e integrimit ka parashikim të zymtë për negociatat e Shqipërisë me BE-në për shkak të mosrealizimit të kushtit të zgjedhjeve. Ndërkohë në konferencën e parë ndërqeveritare, pritet të zyrtarizohen negociatat me Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut mund të lërë pas Shqipërinë në çeljen e negociatave, vendim që do të merret mes muajve tetor dhe dhjetor të këtij viti, nga mbledhja ndërqeveritare e vendeve anëtare të BE-së. Parashikimin e zymtë e bën portal “Euractiv” në një artikull të datës 25 gusht të këtij viti. Media e cila trajton problemet e BE-së, lë të kuptojë se shkak për refuzimin e Shqipërisë janë ndryshimet e njëanshme kushtetuese, të bëra nga kryeministri Rama, në korrikun e këtij viti. “Euractiv” shprehet se pas arritjes së marrëveshjes së pesë qershorit, ndryshimet në Kushtetutë ishin një zhgënjim për BE-në.

Pasi flet për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut, zgjedhjet, ndryshimit e emrit, respektimin e pakicave dhe përmbushjen e kushteve nga ky shtet, kur bie fjala për Shqipërinë “Euractiv” thotë: “Akoma më shumë kushte rëndojnë për fqinjin perëndimor të Maqedonisë së Veriut, pasi mori dritën jeshile aq shumë të pritur këtë pranverë. Pasi vlerësoi Shqipërinë për miratimin e reformës zgjedhore, një nga parakushtet për negociatat, BE ishte më pak se entuziaste për të dëgjuar rreth ndryshimeve kushtetuese të ndërmarra nga socialistët në pushtet, të cilat opozita tha se janë të motivuara politikisht”.

Ndryshimet kushtetuese

Ndryshimet kushtetuese u kundërshtuan jo pak nga krerët e Bashkimit Evropian, të cilët më parë kishin përshëndetur marrëveshjen e 5 qershorit për reformimin e Kodit Zgjedhor. U duk, se megjithëse më herët Shqipërisë i ishin vënë 15 kushte, do mund të kishim të bënim me hapjen e negociatave të kushtëzuara, që do të thotë se do ndiqej hap pas hapi përmbushja e tyre që kishte kërkuar BE-ja. Por, ndryshimet Kushtetuese, të bëra për interesa elektoralë kanë përmbysur raportet. Kërcënimi i erdhi i qartë nga Bundestagu gjerman, kur më 14 korrik, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU-CSU, Johan Wadephul u shpreh se Gjermania do të bllokojë negociatat në rast se ndryshohet Kushtetuta.

“Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje” u shpreh zoti Whadephul. Një ditë më vonë Rama do i përgjigjej kështu numrit dy të grupit parlamentar më të madh në Bundestag.

“Deklarimi i Wadephul ishte zhgënjyes në planin etik, i nxituar në atë institucional dhe i zhbalancuar në planin politik. Ai e çmon shumë marrëveshjen e 5 qershorit, por deklarimi i djeshëm nënçmon shumë parlamentin e Shqipërisë, duke e trajtuar si të ishte një noter pa të drejtë fjale e një marrëveshje, e cila duhet zbatuar”, u shpreh Rama në seancën e kuvendit të datës 15 korrik 2020. Në fakt që nga 1 korriku i këtij viti, Gjermania është presidente e radhës e BE-së, dhe do të mbajë kryesimin e saj deri në fund të dhjetorit.

Refuzimi

Në tetorin e kaluar Shqipëria priste të hapeshin negociatat me Bashkimin Evropian. Madje një vit më parë në verën e vitit 2018, qeveria shqiptare kish dekoruar ambasadorë dhe festuar me shampanjë, duke e bërë të sigurt hapjen e negociatave. Por me sa duket nuk ishin në të njëjtën linjë një Holanda, Danimarka dhe Spanja, që u shprehën se Shqipëria nuk i kish plotësuar kushtet për të hyrë në Bashkimin Evropian. Këtij qëndrimi iu bashkua dhe Presidenti Macron i Francës, i cili u shpreh se nuk dinte se si t’ia shpjegonte qytetarëve të vendit të tij, faktin e shtimit të azilkërkuesve nga Shqipëria.

Holanda kish mbajtur qëndrim akoma më radikal, kur më herët 2/3 e parlamentit të saj kishin kërkuar rikthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë. Por nga ana tjetër, shumë vende të Bashkimit Evropian mbeteshin skeptikë në faktin se një vend që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, nuk kishte Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të lartë, mbizotëronte korrupsioni, dhe kryente zgjedhje një partiake (30 qershori nuk kishte vetëm 3 muaj që kish ndodhur). Një dritë shprese u ndez sërish në marsin e vitit 2020, kur u caktua tetori për hapjen e negociatave, por nuk do kalonin vetëm se disa muaj kur kjo dritë shprese do shuhej.

Shqipërisë iu kërkua nga Bundestagu dhe BE-ja të plotësonte 15 kushte, ku ndër më të rëndësishmet ishin zhvillimi i zgjedhjeve, reformimi i Kodit Zgjedhor, ngritja e Gjykatës Kushtetuese etj. Miratimi i marrëveshjes së 5 qershorit së bashku me opozitën, fashiti pak zërat kundërshtues, duke shpresuar në hapjen e negociatave të kushtëzuara. Pra, negociatat të hapeshin dhe në momentin që nuk plotësoheshin kushtet hap pas hapi ato të ndërpriteshin menjëherë. Por me sa duket edhe kjo mundësi u dogj në seancën e 30 korrikut.

Maqedonia e Veriut

Në vorbullën e refuzimit, Shqipëria tërhoqi pas vetes në tetorin e vitit 2019 dhe Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Evropian, kishte gjykuar se veçimi i Maqedonisë së Veriut do e linte Shqipërinë si “delja e zezë” e rajonit. Për të tjerat, Maqedonia e Veriut i kishte plotësuar kushtet e saj. Kishte ndërruar emrin, kish bërë zgjedhje të lira, respektuar pakicat, kish kryer reforma në drejtësi deri dhe në dënimin e ish-prokurores së Përgjithshme, apo hapjen e çështjes penale për ish-presidentin Gruevski, i cili u detyrua të kërkonte azil në Hungari.

E megjithatë, Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dha dorëheqjen dhe deklaroi zgjedhje të parakohshme, (kërkesën për zgjedhje të parakohshme e kish bërë dhe opozita e Maqedonisë së Veriut). Zgjedhjet u zhvilluan në mes të korrikut, ndërkohë që para pak ditësh u formua dhe qeveria e re, ku shqiptarët morën pesë qeveri të rëndësishme. Po Shqipëria? Kryeministri Rama u shpreh se refuzimi për hapjen e negociatave u bë për shkak të situatës së brendshme dhe konflikteve mes vendeve anëtare të BE-së, pasi Shqipëria i kish plotësuar kushtet e vëna.