Rritet frikshëm numri i aksidenteve rrugore, 88 të vdekur në 6 muaj

Edhe pse Shqipëria u fut në karantinë të plotë për dy muaj ku nuk lejohej lëvizja e mjeteve, përgjatë 7-mujorit humbën jetën në aksidentet rrugore 88 persona, kryesisht të rinj, raporton INSTAT. Lezha vijon të mbetet një pikë e zezë në lidhje me aksidentet në raport me pjesën tjetër të vendit, teksa shihet një përmirësim i sjelljes së këmbësore në drejtim të respektimit të rregullores.
Në shtatëmujorin e 2020, numërohen 635 aksidente rrugore nga 862 aksidente të ndodhura në shtatëmujorin e 2019, duke u ulur me 26,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në muajin Korrik 2020 numërohen 130 aksidente rrugore nga 148 aksidente të ndodhura në muajin Korrik 2019, duke u ulur me 12,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në shtatëmujorin e 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 88 persona nga 115 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në Korrik 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 14 persona nga 13 persona të vdekur në Korrik 2019.
  • auto aks1597815658
Numri i të aksidentuarve në shtatëmujorin e vitit 2020, është 824 persona nga 1.188 persona, duke u ulur me 30,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, ndërsa në Korrik 2020, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 168 persona nga 228 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 26,3 %.

Në muajin Korrik 2020, aksidentet rrugore, në 83,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 30,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 13,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në shtatëmujorin e 2020, aksidentet rrugore, në 16,1 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 12,1 % krahasuar me një vit më parë.

Numri i vdekjeve nga aksidentet rrugore ka ardhur në ulje gjatë dekadës së fundit, duke arritur në 227 jetë të humbura në vitin 2019 në krahasim me 378 në vitin 2009, por ato janë rritur vitet e fundit në raport me popullsinë banuese në vend, sipas INSTAT.

Në vitin 2019 humbën jetën në aksidentet rrugore 78.8 persona për 1 milion banorë, ndërsa në vitin 2018 ishin 74 fatalitete për 1 milionë banorë dhe më tej në vitin 2017 ishin 77 jetë të humbura për 1 mln banorë.

Kjo është një ndër shifrat më të larta të regjistruara në Europë. Në vlerë absolute, numri i vdekjeve nga aksidentet gjatë 2019-s në Shqipëri ishte 227./MONITOR