Një portret në ditëlindjen e t’Lumtunit Fran Mirakaj

13 Gusht – 104 vjet më parë, n’Iballë t’Pukës, lindi Fran Mirakaj, -ky Martir i Demokracisë Shqiptare, dhe Krishtërimit Botëror.

Po si mund t’ia merrte mendja ktij t’Lumtunuemi se në një ditë të afërt, -pikërisht besimi i Tij në Jezukrisht, dashuria për At’dheun dhe Patriotizmi i tij i flakët, do të quheshin “kriminalitet” nga komunistët, t’cilët do t’i përdorenin bash natën e Krishtlindjeve, si pretekst-akuza kundër tij, për t’justifikue lidhjen në hekura, barbarizmin demonstrativ e tepër poshtrues, që përdorën para grues së tij, dhe tre vajzave të mitura, që Frani i donte aq shumë.

Sigurisht që unë se kam njoft t’Lumtunin Fran Mirakaj, por kam njof shumë mirë bashkshorten e tij tepër të zgjuar, burrnore, e fjalëpaktë, -besniken e tij, -Prenë Aliajn e Palqit të Nikaj Metrurit, që jetonte me familjen e vajzës së saj,- Ages, në Fushë-Arrëz, -ku unë, si një nga doktorat e asaj qytetze, m’duhej shpesh t’shkoja për ta vizitue për problemet e saj shëndetësore.

Ma vonë, -kur fati e solli që unë të martohesha me mbesën e saj krenare, Tinën, -këto vizita u banë ëdhe ma të shpeshta, ma t’gjata e miqësore, dhe shpesh kalonim nga temat mjeksore, në ato rreth jetës së saj, -ku vendin kryesor e zinte skena makabre e asaj Nate të largët Krishtlindjesh, që Prenës i kishte mbet e freskët në kujtimet e saj trishtuese.

Asht fakt që për familjen e Frrok Gjokës,- burrit të Ages, t’gjithë Fush-Arrëzi kishte respekt, -ishte një familje e ndershme, e urtë, puntore, e pastërt, dhe me një harmoni të brendshme që admirohej prej të gjithve,-por sot, – kur mendon se në kushtet e at’hershme, që regjimi komunist i kishte krijue kësaj familje,-këto jo vetëm e mbanin si zojë, e kujdeseshin për Prenën, -gruen e “armikut të popullit” Fran Mirakës,- por për t’i rujt dinjitetin njerëzor, krenarinë dhe pamvarësinë idividuale, i kishin lanë edhe drejtimin e plotë të shtëpisë, -pra zojshpillikun, -shton ma tepër respektin për kët familje, që jo vetëm s’ju ndanë persekutimet, -por ato shtoheshin gjithmonë e ma shumë, -vetëm që kujdeseshin aq shumë për Prenë Aliajn e Fran Mirakës.

Respekti dhe dashuria njerëzore e kësaj familje për Prenën, reflektonin njëherësh edhe respektin, dashurinë, mallin dhe dhimbjet e thella, që ato ruanin edhe për Franin e pushkatuar nga ai regjim barbarik, që urrente ç’do gja të mirë mbi tokën Shqiptare, -përfshi edhe qytetarët e sajë.

Prena, me figurën dhe personalitetin e saj të jashtzakonshëm, -konkretizon plotësisht thanjen e urtë popullore, që thotë: “Gruja asht Pasqyra e Burrit”. -Pra, ajo reflektonte me përpikmëri figurën, personalitetin, dhe vlerat morale e njerëzore të t’shoqit, -Fran Mirakës.

Me ardhjen e demokracisë, rasti e pruni që unë të isha një nga nismëtarët e saj, dhe kryetari i parë i Degës së Partisë Demokratike të rrethit të Pukës.

Me këtë rast, mu dhanë mudësitë që të njifesha edhe me antarë të tjerë të familjes së Madhe e Fisnike t’Mirakajve, -siç ishin fillimisht, motra e Franit, -Sute Basha,- një personifikim i vujtjeve njerëzore, -protagonist i shpirtit t’madh, e fisnik t’malsoreve kreshnike, -sytë e saj, lehtësisht t’buzqeshur, t’ambël e paqsore, shprehnin gjithmonë mikpritje e bujari, -ndërsa ftyra dhe trupi i saj i brishtë reflektonin dukshëm, një histori 50 vjeçare, tepër të dhimbshme e rrëqethse, -duke fillue me vllain e saj, -Franin, e pastaj duke vazhdue me interrnimet e saj, -vdekjen e një djali 6 vjeçar, -e së fundi burgosjen e djalit t’saj t’vetëm,-Kin Bashës, -i cili la gruen e tij, -burrneshën Luce Paloka, -bij e një shpie kreshnikësh të Malsisë së Madhe,- me t’cilën u martuan në kampet e interrnimit të Lushnjës,-po kshtu mbetën jetimë, me babë gjallë, edhe dy djemt e tij të vegjël,-Çesku dhe Pjerini, që u rritën pa përkëdhlitë e babës tyre,-të cilin e dëshirun gjithmonë.

Nipit të Fran Mirakës,-pra Kin Bashës, -hetuesit kriminel s’ja kursyen turturat,-nga ato ma t’sofistikuarat, -fizike e psikologjike, që jo vetëm i kishin msuar me një zell t’madh, nga UDB-ja Jugosllave e asaj kohe, -por, me atë vendosmëri komuniste që i karakterizonte, ato i perfeksiononin çdo ditë, duke i praktikue në Kin Bashën, e qindra mijra shokë të tij.

Unë gjithmonë kam mendue, se figura e Sute Bashës, formonte një Kishë n’vehte, -Ajo ishte një shejtneshë e heshtun.

Pak ma vonë, gjatë proceseve demokratike -kur nga burgjet dhe kampet e koncentrimeve, (komunistët me “përkdhelje” i quanin ato kampe internimi, apo pune), -fillun gradualisht të lirohen “armiqt dhe kriminelët” e pushtetit ditatorial komunist,-atëherë, unë pata rastin dhe nderin të njifesha edhe me pjestarë të tjerë të ksaj Familje të Madhe e fisnike Mirakajsh,-si për shembull, me djemtë e Kol Bibës,-Moisin, dhe Lekë Mirakën, – me djemtë e Pal Bibës, Sokolin dhe Simon Mirakën, e motrën e tyre t’mrekullueshme Lajden, -e po kështu, edhe me Klarën legjendare të Pashuk Bibës.

Të gjith kto kushri, -edhe pse ndanin mes vedit qindra vite burgimi e internimi, -ku çdo minut i jetës së tyre, kishte kalue nëpërmjet torturave t’përgjakshme, poshtrimeve, dhimbjeve shpirtrore e fizike, -ato prap-se-prap, -falë prejardhjes së tyre gjenetike, dhe krenarisë individuale, -kishin mujt me rujt e kultivue vlerat e tyre morale e njerëzore, -duke mbet’ njëherësh, njerëz t’shkëlqyeshëm, e tepër paqësorë.

Do t’isha shumë kurjoz të dija, -apo ma mirë të pyesja komunistët tonë “t’nderuar”,- se sa t’zhgënjyer ndjehen ato, kur edhe sot, pas rreth 30 vjetësh,-jo vetëm Mirakajt, por asnjë nga kto mijra “kriminelë e armiq të popullit”,-megjithse në liri të plotë, -s’kan marrë pjesë, apo organizuar asnjë lloji aktiviteti armiqsor apo kriminal, qoftë ndaj tyre apo popullit Shqiptar!.

Po kështu, me shumë respekt, do të dëshiroja t’pyesja këta qindra e mijra njerëz të mirë,- “kriminel e armiq të pushtetit e popullit,” që humbën fëmijrinë, rininë dhe pjesën ma t’madhe të jetës së tyre, në skëterrat komuniste shqiptare, -nga ma t’egra që ka njoft historia e njerëzimit Botnor- se si ndjehen ata sot, -kur edhe pas 30 vjetësh, jo vetëm që s’kanë marrë një falje apo pendim zyrtar nga këta komunistë, -por për ironi, ata hala vazhdojnë të qeverisen prej tyre?

Pra, -me njohjen nga afër të familjes së Frrok Gjokës, -(aty ku jetonte Prena e Fran Mirakës),-si dhe me njohjet personale, e miqësinë, lidhjet e përzemërta që krijova ndër vite me personat e lartpërmendun, -kam ardhë në konkluzion se fjalën fisnikri duhet t’a përdorim për ato njerëz që e kanë, e shfaqin, dhe e ruajn kët vyrtyt të naltë njerëzor, edhe kur janë duke vuajtur. Pra Fisnikria në vujtje asht fisnikëri e vërtetë.

portreti i Franit ne gjygj
Fran Mirakaj ne sallen e gjyqit pas torturave te tmerrshme te komunisteve.

Fisnikrinë në vuajtje mund ta shofim lehtësisht edhe në një fotografi të gjyqit të Fran Mirakës,-ku ftyra e ktij djali 30 vjeçar, trim, bujar e fisnik, asht shëndrrue pa-mëshirshëm, nga kriminelët e kuq, në një shembllim ftyre 80 vjeçari, që shpreh dhimbje t’madhe fizike e shpirtrore, -e njëherësh, burrni, besim, vendosmëri e patriotizëm,-Ai pranoj t’pushkatohej, por jo t’përdhunonte Vlerat e tij njerëzore e Kristiane, t’mohonte besimin e tij në Krisht, apo t’denonconte e tradhtonte njerëzit dhe shokët e tij që luftonin për Fe e Atdhe.

Komunistët kanë pushkatuar edhe gjyshin tim, Myslim Çejku-n, -po n’ Zall t’Kirit në Shkodër, -për “Agjitacion e Propagandë, Luft kundra Pushtetit Popullor, dhe bashkëpunim me Diversantët”. Me këto epitete,-komunistët kanë pushkatue me gjygj-e-pa-gjygj, edhe mijra shqiptar të tjerë, që as varri s’u dihet. Fatkeqësisht kto martirë pothujse janë harruar, -ato kanë ngelur vetëm në Statistikat e pa-besueshme të Komunistve, -tashma edhe ato të fallsifikume.

Ndërsa rasti i Franit, -me 37 martirët e tjerë, -ngelet i veçantë, për t’gjithë shqiptarët dhe botën katolike, -ashtu siç ka ngelë për mue tepër e veçantë, -fytyra e dhimbshme dhe tronditëse e Franit,- n’atë fotografi “gjygji” komunist.

Kjo ftyrë m’ ka ngacmue vazhdimisht imagjinatën dhe mendimet për t‘i ba një portret këtij martiri të dekoruem nga Presidenti i Shqipërisë, -Zoti Bujar Nishani, dhe t’Lumtunuem nga Vatikani i Shejt.

Imagjinata, dhe njohjet e mia në Anatominë Normale dhe Fiziologjinë e Njeriut, -n’kombinim me talentin amator në pikturë, -më kanë ndihmue shumë në “ri-kontruktimin” e ftyrës së Franit në këtë portret.

Siç shifet, nëpërmjet një stili t’përshtatshëm, pak-a-shumë ikonik,- me bojra vaj pikture, -kam zgjedhë e kombinue kryesisht ngjyra të ngrohta, -që pastaj, me penelata të buta e harmonike,- kam arritë të vij tek ftyra origjinale e Franit 30 vjeçar, -por tashma, Ai përcjëllet nga një nuancë të lehtë ëngjullore.

Në sfondin e portretit të Tij, -jo pa qëllim, (Frani u arrestue natën e Krishtlindjeve), kam vendosë siluetën e Krishtit t’kryqëzuar, dhe Pemën e Bredhit, (Christmas Tree), -që Papa Gjon Pali (Pope John Paul), e quante “Symbol të Krishtit”, -kjo traditë shumë e lashtë thonte Ai, personifikon vlerat e jetës, -sepse pema e Bredhit asht gjithmonë e gjelbërt,-dhe gjithçka që mbetet e gjelbërt edhe në dimër, -bahet shenjë e Jetës së Pa-vdekshme.

Për tu sigurue n’lidhje me ngjajshmërinë e ktij portreti,- unë ja dërgova mikut tim të nderuar Z. Tonin Mirakaj, me banim në NY USA. -Tonini e ka Franin kushri, dhe e kishte njoft personalisht. Ai pa vonesë, dhe me një kënaqësi t’madhe e tepër t’sinqert, -më thotë: “Zekri, ky ash axha Fran që unë mbaj mend”.

I knaqun nga rezultati, -dhe në shenjë dhimbje e respekti të thellë për këtë Martir të Lumtunum, që dha jetën për Kristianizmin, -fenë origjinale Arbnore, dhe Atdheun, -unë do t’ja dhuroj me gjith zemër kët portret,- Kishës së Shëngjergjit, -në Koprat t’Iballës, -ku ai shkonte vazhdimisht.

Me respekt, mirënjohje, dashamirësi e konsideratë të madhe, për Mirakajt, Iballësit e t’gjith Pukjanët kudo që janë,

Dr Zekri Palushi

Australi, 13 Gusht 2020