“Luftë” për një vend në Sanatorium! Spitali Covid 2 ka vetëm 10 shtretër të lirë, pse mashtron Ministria

Spitali Shefqet Ndroqi, i cili prej disa javësh tashmë është shndërruar në Covid 2, është drejt ezaurimit të kapacitetit të plotë të tij. Burime bëjnë me dije për Fax News se, nga 200 shtretër që ky spital ka në dispozicion, vetëm 10 kanë mbetur të lira, ndërkohë që në këtë spital janë duke u trajtuar rastet më të rënda.

Ajo që nuk thuhet në fakt, është se një pjesë e personave të shtruar në të dy spitalet Covid, qoftë në Infektiv, qoftë edhe në Sanatorium, tashmë janë negativ nga Covid, por për shkak të dëmtimeve të mundshme në mushkëri, apo në organe të tjera jetike, ata kanë ende nevojë për trajtim spitalor.

Edhe në spitalin Infektiv ka ende persona që janë të dyshuar me Covid, dhe për këtë shkak numri i personave që raportohen ditë pas dite nga ana e ministrisë si të hospitaliuar është më i vogël. Dje sipas MSH në të dy spitalet Covid, ishin duke marrë shërbim 116 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 23 paciente janë në terapi intensive, 7 prej të cilëve pacientë të intubuar.

Nuk dihet se cila do të jetë zgjidhja për pacientët me Covid pas mbushjes së kapacitetit të Shefqet Ndroqit, pasi më shumë sesa ambientet, që janë parashikuar të jenë te ish-kirurgjia, problem mbetet dhe mungesa e stafit të kualifikuar. Derimë tani si staf rezervë janë menduar që të përdoren 30 vullnetarët që u kthyen nga Italia, të cilët kanë edhe një eksperiencë sado minimale në përballimin e rasteve Covid.

Ndërkohë që me ritmin e personave të prekur, dhe atë atyre që janë duke kërkuar ndihmë spitalore, situata duket se po shkon drejt një kolapsimi, dhe nuk do të jetë e largët dita kur të shohim pacientë që qendrojnë korridoreve, njësoj siç ndodhte në të gjitha vendet e tjera në nisje të pandemisë.

Nëse të gjitha vendet e zhvilluara morën masa që spitalet të ktheheshin në strehë të sigurta pëer pacientët, që kërkonin çfarëdo lloj trajtimi, në vendin tonë ndodhi e kundërta, dhe prej javësh qeveria, përveç masave për ndalimin e muzikës, nuk po ndërmerr asnjë nismë inteligjente për frenimin e përhapjes së virusit.