Mos i shkulni perdet, zoti Frrok!

Nga Elona CASLLI

Zoti Çupi, pata rastin të lexoja artikullin tuaj të fundit lidhur me gazetaren Sonila Meço.

Unë nuk jam gazetare dhe nuk guxoj ta quaj veten të tillë, për sa kohë profesioni nga i cili jetoj dhe nga i cili paguhem është larg kësaj fushe.

E lexova artikullin tuaj duke qenë se jeni gazetar me përvojë, sikundër shkruani në artikull dhe u përpoqa të nxirrja prej tij ndonjë këshillë të vyer lidhur me profesionin e gazetarit.

E lexova plot dy herë artikullin dhe të them të drejtën nuk arrita të shënoja asnjë këshillë në mendjen time.

Në sytë e mi artikulli nuk ishte gjë tjetër veçse një biografi e shkruar keq. Zakonisht të tilla biografi përdoren gjatë një debati, kur dikush nuk ka argument.

Me pak fjalë, në mungesë të argumentit profesional do të përdorim argumentin personal dhe do t’i japim këtij të fundit formën që duam ne.

Zoti Çupi duke qenë se e klasifikoni veten tek gazetarët e mirëfilltë të këtij vendi, do të doja të sillja në vëmendjen tuaj, një fragment nga romani i Milan Kunderës “Testamente të tradhtuara”, i cili dënon pikërisht atë formë gazetarie që ju ofroni përmes artikullit tuaj.

Jeta private dhe publike janë dy botë të ndryshme në thelb. Respektimi i këtij ndryshimi është kushti që njeriu mund të jetojë si njeri i lirë; që perdja e cila ndan këto dy botë, është e paprekshme dhe shkulësit e perdeve janë kriminelë.

Kam thënë së përhapja e intimitetit të tjetrit, sa po bëhet zakon dhe rregull, na fut në një epokë, basti më i madh i së cilës, është mbijetesa ose zhdukja e individit.
Milan Kundëra-Testamente të tradhtuara.

Keni shkulur perde z.Çupi dhe sipas kodit të qytetarisë evropiane rezulton se shkulësit e perdeve nuk janë të denjë për besim, pasi për sa kohë guxojnë të shkulin perdet, guxojnë të deformojnë gjithçka.

Hamendësoj se shkulja e perdeve nuk është gazetari.

Në mungesë argumenti për çështjen Becchetti dhe faturën e kripur të saj, apo për çështjen e rrethimit me policë të televizionit “Ora News”, është më mirë të luani shah se të shkulni perde z. Çupi.

Do të ishte një akt dashurie kundrejt profesionit të gazetarisë moshkulja e perdeve z. Çupi, sikundër edhe një akt respekti kundrejt vetes suaj dhe mbi të gjitha moshës suaj.

Post Scriptum- Shkulja e perdeve nuk është argument! Është mungesë argumenti dhe profesionalizmi.