Skandali i rrugës së “florinjtë” Milot-Fier/ Asnjë segment nuk plotëson volumin e trafikut

Të 6 seksionet e aksit Milot-Fier që do të ndërtohet me koncesion nga një kompani private kundrejt tarifimit nuk plotësojnë volumin e trafikut që kërkohet. Sipas kushteve të garës, rruga duhet të gjenerojë një trafik prej 28-30 mijë makinash në ditë të cilat do të mund t’i sigurojnë koncesionarit të ardhurat e nevojshme për investimin mirëmbajtjen dhe fitimin, që sipas dokumenteve të tenderit do të jenë 4,1 miliardë euro për të gjithë periudhën e koncensionit deri me 2055.

Por sipas të dhënave mbi trafikun që i takojnë vitit 2018, seksioni me lëvizjen më të madhe të makinave është ai Rrogozhinë -Lushnjë ku do të kalojnë 26 mijë makina në 24 orë. Ndërsa trafikun më të ulët të lëvizjes e ka aksi Lushnjë -Fier me vetëm 15 mijë makina në 24 orë (shih tabelën bashkëngjitur).

auto trafiku1596445376

Trafiku mesatar i 6 seksioneve të koncesionit është 21 mijë makina në ditë, por fisibiliteti i rrugës parashikon një trafik jo më pak se 28-30 mijë makina në ditë.

Më 1 korrik, Ministria e infrastrukturës e çeli garën për ndërtimin e segmentit Milot-Fier, pjesë e korridorit Adriatiko-Jonian, me koncesion. Fituesi i garës do të paguajë pjesën e punimeve, të cilat do të jenë rreth 1,2 miliardë euro (pa TVSH).

Ndërsa qeveria do të garantojë deri në 10% të trafikut të munguar, një shumë e barabartë 121 milionë euro për koncesionarin për 17 vitet e para të operimit, nga viti 2024 që parashikohet të jetë viti i parë deri në vitin 2040. Me gjithë TVSH dhe shpronësimet, kosto e koncesionit arrin mbi 1,7 miliardë euro.

Ekspertet pohojnë se, tarifa e përdorimit të rrugës është shumë e lartë në raport me nivelin e jetesës në Shqipëri. Për më tepër, ata e argumentojnë të fryrë pagesën, pasi disa segmente të aksit Milot-Fier, të tilla si Milot-Thumanë dhe Unaza e Tiranës nuk do të ndërtohen nga koncesionari.

Pjesa e parë e segmentit nga Miloti në Thumanë, rreth 13 kilometra, është e përfunduar. Koncesionari do të bëjë vetëm disa përshtatje të vogla, por autostrada aktuale është me katër kalime 2+2 dhe me shpejtësi 100 km në orë. Inxhinierët që janë të azhurnuar me projektin thanë se shqiptarët nuk kanë pse të paguajnë për këtë pjesë, pasi e kanë paguar njëherë nëpërmjet buxhetit të shtetit. Gjithashtu një pjesë të rëndësishme të këtij aksi, Unaza e Tiranës është një projekt që do të ndërtohet nga donatorët. Në hyrje të Fierit tashmë autostrada është e bërë dhe Bypass-i i Fierit gjithashtu. /Monitor