Humb jetën një tjetër mjek nga Covid-19

Ndërron jetë një tjetër mjek nga COVID-19 në vend. Ditën e sotme ka vdekur si pasojë e koronavirusit mjeku pneumolog Anibal Byberaj. Lajmin e konfirmoi edhe MSH.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me hidhërim të thellë konfirmon humbjen e jetës së mjekut Anibal Byberi në spitalin “Shefqet Ndroqi”, si pasojë e COVID-19.

Mjeku pneumolog 53 vjeçar, me origjinë nga Tropoja është konfirmuar pozitiv me virusin e rrezikshëm pak ditë më parë dhe vijonte trajtimin në banesë. Pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, mjeku Byberi është paraqitur në Urgjencën e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, ku pavarësisht ndihmës së menjëhershme të ofruar nga stafi mjekësor, fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e insuficencës së rëndë respiratore.

Mjeku Anibal Byberi vuante nga psoriasis, një sëmundje lëkure dhe obeziteti. Pas shumë vitesh punë në vendlindjen e tij, ka punuar për disa kohë si mjek në burgun 302, ndërsa aktualisht nuk ishte në punë, ndërsa këto ditë do të konkuronte në portalin “Mjekë për Shqipërinë”, thuhet në njoftim.