Zbulohet Covidi serb i importuar në Itali: Është më agresiv dhe ka pësuar mutacion

Një lloj i ri i koronavirusit, i cili ka pësuar mutacion dhe është më agresiv se ai që gjendet në Itali, mund të jetë baza e shpërthimit të Covid që u shfaq këto ditë në Rajonin italian të Veneto-s dhe që u zbulua te një sipërmarrës italian nga Viçenca, i cili ishte kthyer pak ditë më parë nga Serbia.

Guvernatori venecian, Luca Zaia, tha gjatë një konference për shtyp, se u gjetën dallime thelbësore midis virusit ”të importuar” nga Ballkani dhe atij që ka qarkulluar dhe po vazhdon të qarkullojë në Itali.

Duke hyrë në detaje, guvernatori Zaia tha se autoritetet shëndetësore kishin sekuencuar virusin serb të gjetur te subjektet që kishin rënë në kontakt me menaxherin e një fabrike çeliku, i cili kishte shkuar në Serbi më 18 qershor dhe ishte rikthyer në Itali, bashkë me 4 punëtorë më 25 qershor.

Sipas Zaia, te katër testet e kryera të tamponit, “ngarkesa virale ishte shumë e lartë”. Kjo do të thotë, ritheksoi Zaia, se Covid serb “është shumë i ndryshëm nga ai në Itali. Me fjalë të tjera, është një mutacion jo vendas dhe shumë agresiv”.