Xavi, mesazh të qartë për Setien dhe Barcelonën

Xavi Hernández nuk fshihet. Ai ka një ëndërr, të bëhet trajner i Barcelonës. Se kur do të ndodhë kjo, nuk është në gjendje ta thotë për momentin, teksa vazhdon të “farkëtohet” në këtë rol në stolin e Al Sadd, në Katar. Në një intervistë për “Marca”, ish-ylli i skuadrës katalanse dhe i “La Roja” tregon edhe filozofinë e tij të futbollit.

Si lojtar, ju përfaqësonit një stil shumë të veçantë. Si trajner, në varësi të lojtarëve, a është dashur të hiqni dorë nga bindjet tuaja?

Jam shumë i qartë për idetë e mia, për sistemin tim të lojës. Unë besoj në posedimin e topit sa më shumë të jetë e mundur, te presioni lart, duke luajtur në fushën e kundërshtarit, duke sulmuar. Ky është futbolli që kam përjetuar te Barça dhe Spanja: dominim me topin, duke krijuar shanse. E kuptoj futbollin kështu dhe besoj se do të fitoj në këtë mënyrë. Me këtë mënyrë loje je më afër fitores.

A mendoni, pra, se futbolli cilësor është i mundur pa lojtarë me cilësi maksimale?

Jam plotësisht i bindur që, pavarësisht se ku jeni dhe cilët lojtarë keni, është e mundur që ta përcillni këtë ide të lojës. Mjafton t’i bindni lojtarët se do të jenë më mirë dhe do të fitojnë më lehtë kështu. Natyrisht, Al Sadd nuk është Barça, por ne u përpoqëm të luanim nga pas, me një nivel të mirë teknik. Lojtarët janë të bindur se fitojnë kështu.

A e imagjinoni veten në Katar për një afat të shkurtër apo mund të ketë ndonjë surprizë, nëse thirreni përsëri nga Barcelona?

Nuk fshihem, gjithmonë e kam thënë se qëllimi im kryesor, kur të ndodhë, është drejtimi i Barçës. Ajo është shtëpia ime, mbetet ëndërr të bëhem trajner i saj. Por, tani për tani jam i përqendruar tek Al Sadd, mezi pres sezonin e ri. Kur Barça duhet të vijë si mundësi, në një afat të shkurtër apo të gjatë, do të ndodhë. Mbi të gjitha, Quique Setién duhet të respektohet. I uroj ekipit gjithçka të mirë.

Setién premtoi futboll të mirë pas mbërritjes. A mendoni se po ia del mbanë?

Ndonjëherë Barça luan shumë mirë; të tjerët, mirë ose jo aq mirë. Por, mua më pëlqen ideja e Setién, e tanishmja dhe me ekipet e tij të mëparshme: të dominojë dhe të bëjë një lojë tërheqëse. Ndonjëherë nuk është e mundur, është e vërtetë, pasi rivalët jua bëjnë të vështirë. Kemi parë ndeshje shumë të këndshme dhe shumë të mira për Barçën me Setién. Pa asnjë dyshim.

A i shihni logjike ankesat ndaj arbitrimit, që erdhën nga Barcelona në La Liga-n e fundit?

Nuk më pëlqen të mendoj shumë për punën e gjyqtarëve. Puna e tyre tashmë është shumë e vështirë. Problemet me VAR duhen analizuar. Gjithmonë do të ketë polemika. /Telesport/