Xavi i jep shpresë Barcelonës

Xavi Hernandez e vazhdoi kontratën me Al-Sadd për edhe një vjet, deri në përfundim të sezonit 2020/21, por në marrëveshjen e re me klubin nga Katari ai e ka një klauzolë e cila ia mundëson të largohet për Barcelonën.

Barcelona i tha lamtumirë legjendës së klubit kur Xavi u pensionua duke i dhënë fund karrierës së gjatë prej 17 vjetëve në Camp Nou në vitin 2015.

Spanjolli i kaloi katër vjetet e ardhshme duke luajtur për Al-Sadd në ligën e Katarit, para se t’i varte këpucët në gozhdë në maj të vitit të kaluar.

Ai u emërua pastaj trajner i ri i Al-Sadd dhe me sukses e udhëhoqi klubin drejt fitimit të dy trofeve.

Për 40-vjeçarin është përfolur shumë se do të kthehet në Barcelonë si trajner, veçanërisht duke i parë problemet me të cilat po përballet klubi momentalisht dhe pakënaqësitë me trajnerin aktual. Quique Setien.

Xavi e ka pranuar se ka plane ambicioze për ta udhëhequr Barçën në të ardhmen.

Ai e vazhdoi dje kontratën me Al-Sadd, e cila, megjithatë, nuk ia mbyll derën e rikthimit në Barcelonë.