Vrasja e ish-policit, Prokuroria pushon çështjen për të “fortin” e “Myslym Shyrit”

Prokuroria e Tiranës pushon çështjen penale për Gjergj Cukalin, i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali në janar të vitit 2019.

Cukali qendroi disa muaj në burg, por Apeli e liroi pasi konsideroi të papërdorshme analizen e ADN.

Pas rrëzimit të provës shkencore, prokuroria nuk gjeti më të dhëna që mund ta implikonin Cukalin në krim. Vendimmarrja e prokurorisë pritet të kontrollohet nga gjykatësi paraprak.

Cukali u arrestua në maj të vitit të kaluar si i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali në Tiranë. Ai njihet edhe si një nga “të fortët” e rrugës “Myslym Shyri” në Tiranë pas disa ngjarjeve të përsëritura në këtë lokalitet. Jo vetëm personazh i njohur në botën e errët të krimit, por 40 vjeçari është edhe mik i ngushtë i Emiljano Shullazit.

Ish-polici  u ekzekutua më 30 janar të vitit 2019 me breshëri kallashnikovi para banesës së tij në Tiranë zonën e Selitës.