Votimet moniste të 30 qershorit, Gjykata e Lezhës urdhëron Prokurorinë të hetojë procesin

Gjykata e Lezhës vendosi të kthejë për hetim te Prokuroria procesin e zgjedhjeve moniste të 30 qershorit në Bashkinë Lezhë, pas ankimimit të PD.

Padia e bërë nga PD dega Lezhë u mbyll pak javë më parë nga Prokuroria, e cila nuk nisi hetimet. Sekretarja e PD, Alfrida Marku tha se, vendimi i gjykatës, urdhëron prokurorinë e Lezhës, të hetojë çdo material dhe ankesë të berë, si dhe të thirren në pyetje, anëtarë të KZAZ, numërues dhe çdo person tjetër që mund të ketë dëshmi.

“Ne inkurajojmë Prokurorinë që të jetë e paanshme dhe të mos ndikohet në vendimet e saj, por të kryeje një proçes hetimor të drejtë, të plote e të gjithanshëm.

Cilido që cënon proçeset zgjedhore, cilido cënon të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur i lire dhe në rregulla demokratike përfaqësuesit e tyre, duhet të mbajë përgjegjësi siç parashikon ligji.

Eshtë koha për të rikthyer besimin e shqiptarëve tek proceset zgjedhore, si një moment kyç ku ata mund tu japin fund qeverisjeve të keqija apo në rastin më të mirë të zgjedhim një model qeverisje më të mirë sesa e mëparshmja. Dhe kjo bëhet e mundur vetëm atëherë kur veprimet e paligjshme do të ndëshkohen dhe kur krimi të mos influencojë politiken dhe proçeset zgjedhore.

Kujtojmë që kjo është nje mundesi e dytë që i jepet prokurorisë për të kryer detyrën e saj, dhe se mbi vijimesinë e ketij procesi ne do të vëmë në dijeni Keshillin e Lartë të prokurorisë si dhe perfaqësitë diplomatike të BE dhe SHBA në Shqipëri”, thuhet në reagimin e PD në Lezhë.