Vlora sfidon Ramën, lokale të tejmbushura dhe me muzikë

Pronarët e bareve dhe lounge-ve në qytetin e Vlorës kanë vijuar aktivitetin e tyre normalisht duke sfiduar qeverinë e Ramës për mbzlljen e tzre pas orës 20:00. Situata në qytetin e Vlorës vijon normalisht me bare të tejmbushur duke sfiduar vendimet e qeverisë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përmes një deklarate për mediat, lajmëroi ditën e djeshme vendimin e Qeverisë për ndalimin e hapjes së klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.

Manastirliu pohoi se në rast se këto vendime nuk do të zbatohen atëherë subjektet që gjenden në shkelje do të gjobiten me 30 milionë lekë të vjetra dhe do t’iu pezullohet aktiviteti për një vit.

Përveç klubeve të natës, akti normativ i qeverisë ndalon edhe muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdo lloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.

Por ky urdhër duket se nuk është marrë seriozisht nga pronarët e bareve dhe lounge-ve në qytetin e Vlorës, të cilët kanë vijuar aktivitetin e tyre normalisht. Siç shihet dhe në videot e siguruara nga Faxweb.al situata në qytetin e Vlorës vijon normalisht me bare të tejmbushur duke sfiduar vendimet e qeverisë.