Tjetër padi për shembjen e Teatrit Kombëtar/ Kalaja: SPAK ka filluar hetimet për kallëzimet që kemi bërë

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë depozituar sërish padi në SPAK në lidhje me veprimet për shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar si dhe me dhunën e ushtruar ndaj protestuesve.

Avokatja Adriana Kalaja tha se ky është kallëzimi i pestë që ato kanë bërë, ndërkohë që akuzat e pretenduara prej tyre janë për shpërdorimi i detyrë, korrupsioni i zyrtarëve që kryejnë një detyrë publike dhe korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendor sepse është kallëzuar edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.

E pyetur në lidhje me besimin tek SPAK, Kalaja tha se ato kanë një informacion tashmë se do të nisë një hetim të plotë dhe të gjithanshëm për të gjitha kallëzimet që kanë bërë.

“Ky është kallëzimi pestë që ne kemi bërë. Së pari është shpërdorimi i detyrë, korrupsioni i zyrtarëve që kryejnë një detyrë publike dhe korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendor sepse është kallëzuar edhe kryebshkiaku Erion Veliaj”, tha Kalaja.

Shpresoni se do të keni përgjigje nga SPAK?

“Shpresojmë dhe besojmë sepse jemi të gjithë dëshmitarë në lidhje me atë që ndodhi, të reagimit që pati PE ku u përcaktuan disa kritere në lidhje me Teatrin Kombëtar siç është kriteri i shembjes dhe dhunës ndaj protestuesve si dhe kriteri i rindërtimit duke pasur si bazë rindërtimin e Teatrit. Në këto kushte unë dhe të gjithë ne, shpresojmë dhe besojmë se shumë shpejt gjërat do të lëvizin. SPAK ka filluar një hetim të plotë dhe të gjithëanshëm për të gjitha kallëzimet që kemi bërë”, tha Kalaja.