“Tirona” shpallet kampione

Pa takime, thjesht përshëndetje me grushte dhe medalje që jepen në dorë. Tribuna bosh dhe si pasojë atmosferë surreale për një ndeshje ku do të kurorëzoheshin kampionët e rinj. Epilogu I njohur I një sezoni të gjatë dhe të çuditshëm në Superligë, ashtu si në të gjithë botën.

Por asgjë nuk mund ta prishte mbrëmjen e Tiranës, që mori zyrtarshit nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, trofeun e titullin kampion në Superligë për herë të 25-të në historinë e futbollit elitar në vend.

Një triumf I merituar për bardheblutë, që megjithëse e nisën keq sezonin arritën të gjenin sërish motivimin se përse ishin ndërtuar, duke lënë pas të gjithë rivalët, sidomos Kukësin kundërshtarin më të madh në këtë kampionat. Të besuarit e Emanuel Egbo e mbyllën kampionatin me barazimin 1-1 kundër Bylis.

Rezultat ky që vlen vetëm për stattistika dhe ato konfirmojnë se Tirana e meritoi trofeun me 70 pikë në 30 ndeshje, 67 gola të shënuar dhe 35 të pësuar. Pritja 11 vjeçare ka marrë fund për bardheblutë dhe tifozët e tyre, që të dënuar nga situata e pandemisë nuk mundën të festonin.