Thirrja “SOS”!

Nga Albert AVDULI

Mëngjeset, për shumicën, nisin me kafen e para punës dhe një syhedhje e shpejtë mbi lajme apo rrjet.

E hëna e sotme, kështu nisi dhe për mua. Teksa klikoja, në ekranin e telefonit, u shfaq Kryetari i opozitës, Z. Basha, në takim të drejtëpërdrejt. Ai bashkëbisedonte me fermer dhe mijëra ndjekës komentonin.

Shumë prej tyre e nxisnin për aksion politik, të tjerë akuzonin qeverinë për mospërmbushje detyrimesh dhe braktisje, disa ishin skeptikë për ndryshimin e gjendjes.

Kishte dhe marioneta sulmuese, por të rrallë.

Midis atyre komenteve, më tërhoqi vëmendjen, shënimi i një ndjekësi. Fotua bashkangjitur e dëshmon dhimbjen dhe shpresën e tij, por jo vetëm.

Me një fjali, që kullon shpirt, qytetari lëshon sinjalin “SOS”.

Lexoni: “Po e fitove ti, mirë, po nuk e fitove, na mori lumi”.

Kaq shkruan dhe askush nuk e di nëse ky qytetar, babë, bir apo vëlla është me bindje të caktuara politike.

Pikë rëndësie nuk kanë bindjet në fakt, kur vjen puna te jeta e familjes së secilit.

Mesazhi i dërguar është një fjali që peshon sa një mal.

Teksa e lexoja atë thirrje, menjëherë përfytyrova një anije pasagjerësh me difekt që përpëlitet mes dallgëve të detit.

Kapiteni është dehur me rum të vjetër, thith llullën dhe qesh me të madhe së bashku me ekuipazhin dehur dhe ata. As e ndjen katastrofën që po ndodh, as mer mundimin ta shmang.

Udhëtarët, mbi kuvertë, luten qiellit dhe njëri prej tyre vrapon në kabinë për të dërguar sinjalin “SOS” në tokë.

Kaq më shkoj në mëndje atë çast që lexova shprehjen “na mori lumi”.

Sigurisht jemi në tokë, por kriza ekonomike, si dallgë përmbytëse na kërcënon të gjithëve.

Realiteti duhet vëzhguar me qetësi, larg pasioneve politike, por duke ndalur secili në faktin e jetës te familja e vetë, të afërmve, miqve, shokëve.

Mua, puna ma sjell që të jem në lëvizje dhe komunikim në shumë zona të Shqipërisë dhe takoj qytetar me bindje të ndryshme.

Në shumicë, mendimi i tyre është se ekonomia kishte ngecur prej vitesh, por tashmë ka mar rrokullimën.

Ndaj ndjeva dhimbje kur lexova mesazhin e ” na mori lumi”, por dhe shpresë ndjeva.
Njerëzit ende besojnë se e kanë dhe një shanc për ta vazhduar jetën në këtë vend.
Po fitove ti, mirë, kemi fituar dhe ne, po nuk fitove, kemi humbur të gjithë, na rrëmbeu humnera.

Kaq shkurt e thënë, kaq qartë e kuptuar.

Mbi çdo filozofi politike e demagogji oratorësh shkëlqen shprehja e një qytetari të thjeshtë, i thjeshtë deri në moskujdes sesi e shkruan dhimbjen dhe shpresën e tij.