Thaçi flet pas kthimit nga Haga: “Isha gati të jap jetën i ri, tani që jam me thinja…”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur pas kthimit nga Prokuroria e Hagës duke i thënë qytetarëve se historinë që është vulosur me gjakun dhe sakrificën për liri nuk mund ta rishkruajë askush. Sipas tij, ky proces do vulosë rolin historik të UÇK.

”Historia nuk mund të rishkruhet nga askush. Ju them që ky process nuk mund të rishkruajë këtë histori, sepse është vulosur me gjakun dhe sakfrificën e një populli me liri.

Cilido qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja, historia e fitimit mbi një pushtues do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush.

Ky procesi i radhës është në vazhdën e shpifjeve dhe akuzave ndaj UÇK. Por ky proces do vulosë rolin historic të UÇK-së si një rol i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Këto përbuzje ndaj Kosovës e shqiptarëve, represioni deri në masa gjenocidiale, do të jetë një nga faqet më të errëta që nuk do rishkruhet në Kosovë.

Unë që pata rol në shtetformimim e Kosovës. Ndjehem më fort i sigurt për sakrificën personale për zbardhjen e kësaj historie 22 vjeçare. Një histori e mbushur me lëndime dhe akuza ndaj bashkëluftëtarëve të mi”, tha Thaçi.

Presidenti theksoi se mbrojtja e Kosovës ka qenë prioritet që në rininë e tij dhe do të vazhdojë të mbetet kështu pasi është amanet nga të parët.

“Për mua, Kosova është gjithmonë e para. Isha gati të jap jetën i ri për Kosovën, e sot që jam prind me thinja nuk ka dyshim se procesi ku më kanë përfshirë mua dhe bashkëqytetarët e mi është të ruaj Kosovën.

Kosova është një amanet që e kemi nga të parët tanë”, tha Thaçi.