Të gjithë kundër Edi Ramës!

Që ditën e parë kur la të kuptohej se do të ndërmerrte veprime që bien ndesh me marrëveshjen politike të 5 qershorit, pati një furi reagimesh ndaj kryeministrit nga Brukseli në Uashington. Deklarata nga më të ashprat prej Bundestagut, Parlamentit dhe Komisionit Europian, që i kujtojnë Edi Ramës se po vë në rrezik integrimin evropian të vendit. Pse shefi i mazhorancës minoi marrëveshjen e 5 qershorit. Cilët janë interesat e tij dhe sa larg mund të shkojë me këtë lëvizje. Një raport i plotë nga gazeta MAPO.

Nga Armand MAHO

Kryeministri Rama, njihet si politikan arrivist, që për të mbajtur pushtetin nuk njeh skrupuj. Kjo është provuar përgjatë kohës kur ishte për tri mandate rresht kryetar Bashkie, dhe hidhej sa në prehrin e Nanos dhe sa në atë të Metës, andej nga shkonte pushteti socialist. Ashtu pa skrupuj arriti të katapultohet në krye të PS-së me anë të makinacioneve, shpërndarjes së lejeve të ndërtimit (akuzë e ardhur nga Petro Koçi) dhe ndihmën e Gramoz Ruçit.

Në të njëjtën mënyrë arriti ta mbante postin e kryetarit dhe pas humbjes së PS-së në vitin 2009. Zakoni i vjetër i shërbeu dhe për t’i shtrirë dorën e pajtimit kreut të LSI-së Ilir Meta pasi pa se në një përballje me kryeministrin Berisha në vitin 2013 nuk kishte shumë shanse të fitonte. Sot ai për të mbajtur pushtetin, merr vendime me një parlament të cunguar dhe drejton i vetëm 61 bashki të vendit.

***
Historia politike e Ramës, sidomos pas vitit 2013 ngjason me një kurbë zbritëse. Nuk ka mbajtur asnjë premtim nga ato të cilat e sollën në pushtet. Por diçka ka ditur ta bëjë mirë. Të krijojë lidhje të ngushta me ndërkombëtarët. Këta të fundit herë skeptikë e herë entuziastë, të lodhur deri diku me problemet e pafundme të Shqipërisë, kanë preferuar stabilitetin dhe politikën institucionale, duke mbyllur herë një sy e herë të dy para praktikave aspak të përshtatshme të një qeverie që abuzon me taksat, tenton të kapë me çdo mjet sistemin e drejtësisë, stimulon mbjelljen e hashashit, përdor elementë kriminalë për të manipuluar zgjedhjet siç dolën në përgjimet e “Bild”, zhvillon zgjedhje pa rivalë etj.

Por duket se situata ka ndryshuar! Me gjithë mbështetjen, Evropa gjithmonë duket ka mbajtur një rezervë ndaj kryeministrit. Hapja e negociatave, ishte synimi parësor i tij për ta përdorur si kartë në fushatë elektorale. Me gjithë spin-doktorët që financonte në Komisionin Evropian e gjetkë, sërish procesi hynte e dilte në kalendat greke, duke e detyruar kryeministrin që herë të hapte shampanjë duke i caktuar data, e herë duke i hedhur një tis trishtimi kur vendimi anulohej.

***
Në 5 qershor të këtij viti Ramës iu dha dhe një mundësi tjetër. Ajo është marrëveshja që arriti me opozitën jashtëparlamentare, për një paketë ndryshimesh në Kodin Zgjedhor. Kokulur, dhe nën monitorimin strikt të ndërkombëtarëve sidomos SHBA-ve, Rama firmosi rregullat e lojës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Por kjo dakordësi zgjati fare pak. Duke parë se me sistemin aktual shanset për të fituar një mandat të tretë janë të pakta, atëherë ai filloi të bënte atë që di të bëjë më mirë.

Kompleksimin e kundërshtarit. Këtë gjë kish bërë dhe në 2017-n, kur ia arriti që partitë kundërshtare t’i bëjë të hynin të vetme në garë, këtë bëri dhe në zgjedhjet e 30 qershorit. Propaganda se Rama në çdo rast fiton zgjedhjet nuk i hynte më në punë, dhe opozita tashmë e kish kuptuar këtë. Zgjidhja e vetme do ishte ndryshimi i sistemit, ndalimi i koalicioneve dhe shkelmimi i marrëveshjes.

Këtë herë në ndihmë i erdhën deputetët zëvendësues të listave të opozitës, që kërcënonin se nuk do e votonin marrëveshjen pa u ndryshuar sistemi aktual, por që në draftin e paraqitur nuk kishin harruar të fusnin dhe një pikë që ndalonte koalicionet. Siç do deklaronte më vonë Myslim Murrizi, një prej deputetëve iniciues të ndryshimeve, këtë pikë ia kish kërkuar Rama.

Ndërhyrjet në Kushtetutë, furtunë reagimesh nga ndërkombëtarët

Pranimi i ndryshimit të sistemit ngriti një furtunë reagimesh. Ç’është e drejta, papajtueshmëria e perëndimorëve me sjelljet e Ramës kish filluar shumë më herët që në tetorin e vitit të kaluar, kur iu mohua hapja e negociatave. U intensifikua më shumë me prishjen e teatrit, ndërsa me tentativën për grisjen e marrëveshjes ai u gjend në mes të furtunës. Tashmë ai (Rama) ndodhet në mes të një vorbulle që rrezikon ta përpijë në rast se nuk tërhiqet nga ideja për të shkatërruar një investim të SHBA–BE. Mesazhet nga Bundestagu gjerman, Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian, por edhe nga Ambasadorja e SHBA-së kanë qenë qartësisht kërcënuese: mirato reformën, zbato rregullat e lojës, mos sakrifiko integrimin.

Rezoluta

Më 20 qershor të këtij viti, vetëm 15 ditë pas miratimit të marrëveshjes zgjedhore Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë me 15 kushte për Shqipërinë për hapjen e negociatave. Dokumenti u votua nga 532 eurodeputetë të majtë e të djathtë. Në dy prej kërkesave flitej për votimin dhe zbatimin e Reformës Zgjedhore, madje miratimi ishte pika e parë e saj. Sinjalet ishin dhënë dhe më parë nga grupi i PPE-së, por Rama i mohoi duke u shprehur se nuk bëhej fjalë për 15 por vetëm për katër kushte.

Në ndihmë do i vinte dhe Komisioni Evropian, kur tha se Shqipëria, si detyrim primar ka miratimin e Reformës Zgjedhore, dhe më pas të gjitha të tjerat do shiheshin “step by step”. Por, kryeministri nuk bindet. Opozita parlamentare luante me kartën e kërcënimit, kur thoshte se nuk do e votonte marrëveshjen në rast se nuk hapeshin listat. Një kërcënim që ngjante utopik, po të mendosh se ka qenë pikërisht ajo opozitë që kishte votuar më parë ligje që dukeshin qartë se i shërbenin vetëm pushtetit. Komisionin hetimor për shkarkimin e presidentit, Ligje për PPP, Ligjin Anti-KÇK, e të tjera me radhë. Por sinjalet e herëpashershme që vinin nga perëndimi dukeshin se shkaktonin një lloj stepjeje te Rama dhe mazhoranca. Një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të ndryshimit të sistemit ishte Damian Gjiknuri, anëtar i Këshillit Politik që miratoi marrëveshjen për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Deklarata

Kjo vazhdoi deri më 9 korrik, kur Rama pas disa takimeve parlamentare do deklaronte në grupin parlamentar të PS se ishte marrë vendim politik të pranoheshin amendamentet e ndryshimit të Kushtetutës nga opozita parlamentare. Bashkë me ndryshimin e sistemit, Rama argumentoi se do të rrëzoheshin dhe koalicionet. Në kohë reale nga Brukseli, kur kreu i PS s’kishte mbyllur ende fjalën para deputetëve do të reagonte Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, si për të thënë se kryeministri po mbahej nën vëzhgim. “Është e rëndësishme që reforma e dakordësuar më 5 qershor të adaptohet nga Parlamenti sa më shpejt në sesionin aktual, me qëllim që të mundësojë zbatimin e ndryshimeve të reja përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR ajo adreson një nga rekomandimet kyçe për nisjen e negociatave të anëtarësimit. Reforma të tjera që lidhen me sistemin zgjedhor, jashtë rekomandimeve të OSBE/ODIHR duhet të miratohen jo më pak se një vit para zgjedhjeve dhe për to nevojiten konsultimet e duhura, siç rekomandon OSBE”, shkruan Varhelyi në reagimin e tij. Vetëm një ditë më vonë, në një intervistë televizive edhe ambasadorja e SHBA Youri Kim, do përsëriste kërkesën për mosprekjen e marrëveshjes ndërsa foli dhe për nevojën e popujve për rotacion politik.

Opozita

Menjëherë pas kësaj do dilte në një konferencë për shtyp lideri i opozitës Lulzim Basha. Përpara se të bëhej kjo deklaratë nga ana e Ramës, Basha kish preferuar të injoronte zërat që kërkonin ndryshim sistemi duke ruajtur një profil të qetë. I qetë ai u shfaq dhe në konferencën për shtyp, ku në krah mbante sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi. Në atë konferencë ai do bënte një deklaratë trazuese. “Nëse Edi Rama është për lista të hapura, nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese sepse mund të bëjë ndryshime në Kod, ai i do ndryshimet në Kushtetutë për ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Për një muaj Edi Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij duke thënë ti Kryeministër, unë President, vetëm të heqim koalicionet. “Heqim koalicionet dhe ti Kryeministër dhe unë President” -tha Basha.

Pas kësaj deklarate, reagimi i Ramës do ishte paksa nervoz. Duke mos u mjaftuar me një status në Twitter, ai do jepte dhe një intervistë në orët e mbrëmjes për të sqaruar pozicionin e tij.

Goditja “nokaut” nga Bundestagu dhe tërheqja e Ramës

Por goditja më e madhe do i vinte nga Gjermania, më datë 14 korrik. Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, në Bundestag, Johann Wadephul, do lëshonte një deklaratë e cila duket se tronditi vërtet pozitat e Ramës. Zoti Wadephul, një përkrahës i Shqipërisë, shprehej se marrëveshja e 5 qershorit duhet të kalojë ekzaktësisht ashtu siç ishte dakordësuar mes palëve, duke i quajtur të papranueshme ndërhyrjet në Kushtetutë.

Zonja Merkel, dhe ministri i Jashtëm Mass, kishin deklaruar më parë ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia. “Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë Reformën Zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Në praktikë, kjo do të thoshte se Parlamenti shqiptar do të bënte të pavlefshme Reformën Zgjedhore të arritur me marrëveshjen e 5 qershorit. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në mars të këtij viti, dhe do të vinte në veçanti në pikëpyetje perspektivën e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Për më tepër, një qasje e tillë do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për arritjen e një reforme të mirë zgjedhore.

Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje. Prandaj iu bëj thirrje kolegëve në Parlamentin shqiptar: Bëni një hap të madh drejt forcimit të demokracisë në vendin tuaj dhe miratoni Reformën Zgjedhore siç përcaktohet në marrëveshjen e 5 qershorit. Dhe hiqni dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese që do ta shkatërronin reformën zgjedhore. Vetëm atëherë ju do të keni akoma mbështetjen e fortë të Bundestagut gjerman. Prandaj, mos vini në pikëpyetje perspektivën e BE-së për vendin tuaj! Populli shqiptar nuk e meriton këtë!”, shprehej zotit Wadephul.

Kriza politike

Deklarata u shoqërua me një reagim të menjëhershëm të opozitës së bashkuar dhe Presidentit të Republikës. Në horizont po ndihej era e një krize të re politike, dhe Rama nuk kishte më se ku të drejtonte gishtin për të gjetur një fajtor, një armik të integrimit. Këtë herë ishte vetë kreu i qeverisë, që kishte provokuar, nxitur dhe miratuar një krizë në dukje të panevojshme, por që në thelb i siguronte atij vazhdimësinë politike.

Opozita e bashkuar, e cila kishte me vete dhe ndërkombëtarët, kërcënoi me stabilitet politik, ndërsa presidenti Meta i kujtoi dhe një herë delegjitimitetin e parlamentit. I gjendur pa një rrugëzgjidhje, Rama mori kthesën e parë, kur po atë ditë u shpreh se hapja e listave nuk i ndalon koalicionet. Këtë ide e përforcoi akoma më shumë në mbledhjen e grupit parlamentar të 15 korrikut, ku nuk harroi t’i kujtonte zotit Wadephul sovranitetin e Shqipërisë, dhe legjitimitetin e parlamentit.

Një gjuhë, e cila mund t’i shkonte për shtat një lideri i cili ka mbajtur pushtetin në saje të punës dhe arritjeve të tij, por jo një kryeministri i cili patericë kryesore të mbajtjes së pushtetit kishte si referencë mbështetjen ndërkombëtare. Ndërkohë qëndrimi evropian do i ripërsëritej dhe nga një deklaratë e tre deputetëve, dy të majtë e një i djathtë.

David McAllister, kryetar i Komisionit të Jashtëm nga CDU, njeriu që mundësoi marrëveshjen mes pozitës dhe opozitës në vitin 2017, që së bashku me Isabel Santos të Partisë Socialiste portugeze dhe Manolis Kefalogiannis nga Nea Demokracia greke, i kujtuan dhe një herë kryeministrit se po rrezikon shumë duke vepruar në mënyrë të njëanshme.

Rimblidhet Këshilli Politik

Sot jemi në një situatë ku forcat politike për të parandaluar krizën po shkojnë drejt një marrëveshjeje të dytë. Ftesën e ka bërë Edi Rama, i imponuar dhe nga pozicioni i vështirë që e kanë vënë ndërkombëtarët. Ditën e djeshme ai bëri një ftesë publike për të rimbledhur dhe një herë këshillin politik, ku premtoi se do të merrte pjesë personalisht. Opozita komode në pozicionin e saj, nuk kishte pse të mos e pranonte këtë ftesë.

Më herët, kreu i PD Basha u thirr në një takim nga Presidenti Ilir Meta, ku u shpreh qartë se ai nuk është kundër listave të hapura, por kundër mënyrës së si Rama kërkon ta realizojë këtë proces.

Opozita e bashkuar në një deklaratë të saj do shprehej: “Rikonfirmojmë qëndrimin tonë se nëse Partia Socialiste është vërtet e interesuar për të diskutuar mbi çështje të tjera në lidhje me reformën zgjedhore, ajo është e obliguar nga Marrëveshja e 14 Janarit dhe nga Marrëveshja e 5 Qershorit t’i parashtrojë ato për diskutime dhe vendimmarrje konsensuale në Këshillin Politik. Për vijimin e punës në Këshillin Politik palët janë dakordësuar edhe në pikën 11 të Marrëveshjes së 5 Qershorit. Opozita e Bashkuar shpreh gatishmërinë të vazhdojë diskutimin dhe punën në Këshillin Politik për çdo temë dhe çështje që lidhet me zgjedhjet, duke nisur nga sot, por pa penguar apo vonuar miratimin pa ndryshime, sa më parë të dakordësisë së 5 Qershorit”.

Ftesa u përsërit në orët e pasdites dhe nga deputeti Damian Gjiknuri ku u ra dakord që mbledhja e ardhshme të zhvillohet në datë 20 korrik. Rama ka deklaruar se do jetë prezent në atë mbledhje në krah të Gjiknurit, ndërsa vetë Basha ka preferuar të përfaqësohet nga sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi. Pjesa tjetër e përfaqësimit qëndron e palëvizur me Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin.

Rrotacioni
Edi Rama ndodhet në një pozitë të vështirë. I mësuar që të fuste kundërshtarin në “cep të ringut”, sot ai është vetë atje. Goditjet po i vijnë nga të gjitha anët, nga Evropa dhe nga SHBA, Komisioni i Venecias, Bundestagu Gjerman, Holanda, Franca të lodhur nga qëndrimet arrogante dhe mosmbajtja e premtimeve të kryeministrit shqiptar. Përpos kësaj sot ai ka përpara një opozitë të çliruar nga komplekset. Propaganda, se Rama fiton në çdo lloj situate, e injektuar nga zyra e tij e shtypit, për konsum publik nuk bën më punë.

Gazeta MAPO në dy shkrime argumentonte se në rast se opozita do hynte e bashkuar në zgjedhjet e vitit 2017, atëherë fitonte dhe në kushtet me të cilat ato u zhvilluan. Po ashtu bashkimi i saj, rrezikonte seriozisht të fitonte dhe shumicën e bashkive në vend, të cilat Rama nxitoi t’i marrë pa garë por duket se po i paguan me humbjen e pushtetit politik. Por nuk është vetëm bashkimi i forcave opozitare që favorizon rrotacionin e pushtetit.

Rama vjen në vitin e tetë të qeverisjes me një bilanc negativ në ekonomi, rend, drejtësi, shëndetësi, arsim dhe politikën e jashtme, bilance këto që ishin negative dhe më parë por amortizoheshin nga mbështetja ndërkombëtare. Mandati i tretë në këtë situatë duket i pamundur dhe për militantin më të devotshëm të PS-së. Tashmë është shumë vonë për të ndryshuar diçka. /Mapo.al