Takimi me Hotin në Bruksel, mediat gjermane: Vuçiç hyri dhe doli nga garazhdi

“Dialogu ka vazhduar mbi parime të qarta, të saktësuara në samitin e Parisit më 10 korrik dhe video-konferencën e Brukselit, dy ditë më vonë”, theksoi kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, pas takimi të parë kokë më kokë me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Takimi shënoi vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pas 20 muaj ngecjeje, për shkak të taksave të ish-qeverisë Haradinaj, të vëna në tetor të vitit 2018.

Hoti pohon se bisedimi i sotëm, i ndërmjetësuar nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në këtë dialogu, Miroslav Lajçak, ka qenë shumë i vështirë, sepe palët edhe në këtë takim kanë paraqitur mendime të kundërta për zgjidhjen përfundimtare. Por palët kanë rënë dakord që sot të trajtojnë dy tema të ndjeshme dhe të rëndësishme për qytetarët dhe këto dy vende: Tema e parë ishte ajo e personave të pagjetur si dhe bashkëpunimi ekonomik mes Serbisë dhe Kosovës.

Por më pas, presidenti i Serbisë Vuçiq dhe ndërmjetësuesi i dialogut Lajçak konfirmuan se në takim eshtë biseduar edhe për të zhvendosurit. Hoti pohon se është “arritur progres, në çështjen e të pagjeturve, por rezultatet konkrete do të shihen në ditët në vijim”.

Kryeministri i Kosovës pohon se ai ka mbrojtur qëndrimin e arritur me konsensus – që kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë. Palët kanë rënë dakord për punën që duhet bërë në javët dhe muajt e ardhshëm.

“Ky është një proces që duhet të marrë javë dhe muaj, e jo më shumë se kaq. Unë jam i bindur se mund të arrihet zgjidhje brenda kësaj periudhe, sepse kemi mbështetjen e BE dhe të ndërmjetësit Lajçak”, theksoi Hoti para pak gazetarëve që sot ishin mbledhur para godinës të përfaqësuesit për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrel.

Borrel: BE merr timonin
Vet Borrel para takimit tha se ai është “shumë i lumtur” për vazhdimin e dialogut pas vetëm katër ditësh, kur është mbajtur takimi i parë (përmes vídeos) i nivelit të lartë në dialogun Beograd-Prishtinë.

„Më vjen mirë që shoh se BE-ja është kthyer dhe ka marrë në dorë timonin e këtij procesi”, theksoi Borrel në një vídeo-mesazh. Presidenti i Serbisë dhe Kryeministri i Kosovës, sipas tij, kanë treguar “përkushtimin e tyre të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE”. Borrel tha se ai pret një “diskutim konstruktiv” për çështje gjatë bisedimeve, “të cilat do t’i kontribuojnë në normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Unë i inkurajoj të dyja palët që bisedimet e sotme t’i shohin në frymën e kompromisit dhe të pragmatizmit, si dhe të së ardhmes evropiane për njerëzit në Kosovë dhe Serbi”, theksoi Borrel.

Vuçiq: Disa nuk i kanë kuptuar temat
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se disa prej pjesëmarrësve “nuk i kanë kuptuar temat”, sepse në këtë takim është biseduar për të pagjeturit, personat e zhvendosur dhe çështjet ekonomike. Ndërsa ata flisnin në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte për njohjen e Kosovës.

Belgien | Dialog Kosovo in Brüssel (EEAS)
Vuçiqi është futur në takim nga garazhi i godinës dhe ka ikur po të njëjtën rrugë. Ai nuk u paraqit fare para gazetarëve, por zgjodhi të flasë vetëm para gazetarëve serbë, të ftuar në përfaqësinë e Serbisë në Bruksel. Ai kundërshtoi pohimet e Hotit se marrëveshja mund të arrihet brenda javësh apo muajsh duke shtuar se dialogu nuk është i lehtë, por “ne duhet të mbrojmë interesat e popullit tonë”.

“Serbia duhet të marrë pjesë në dialog, për të mos qenë e izoluar nga mbarë bota. Nuk e kam të lehtë të dëgjoj trillime se ata janë viktimë e ne kriminelë. Por ne po luftojmë dhe do të përpiqemi të jemi fair në zgjidhjen e problemeve”, theksoi Vuçiq.

“Ne duhet të jetojmë me shqiptarët, ndaj duhet të zgjidhim problemet sa më parë. Por është e qartë se dallimet janë tepër të mëdha.”

Për dallim prej Hotit, Vuçiq saktësoi se dialogu në nivelin teknik do të vazhdojë javën e ardhshme, të mërkurën apo të enjten. Ndërsa takimi në nivelin e lartë, sipas Vuçiqit, do të mbahet më 5 ose 7 shtator, kur “do të hapen disa tema të tjera”.

Lajçak: takim i rëndësishëm
Ndërmjetësi në dialog Miroslav Lajçak e cilësoi si shumë të rëndësishëm vazhdimin e dialogut pas 20 muajsh. Ai tha se në takim është biseduar për të pagjeturit, të zhvendosurit dhe instensifikimin e bashkëpunimit ekonomik. Ai po ashtu konfirmoi se dialogu do të vazhdojë në nivelin teknik javën që vjen, ndërsa në nivelin e lartë në fillim të shtatorit.

Ishte ky takimi i parë i nivelit të lartë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të filluar në vitin 2011, në të cilin nuk ishte i pranishëm presidentit i Kosovës Hashim Thaçi, që gjatë kësaj kohe merrej në pyetje nga prokurorët e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, që e akuzojnë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.