Stina e vetmisë së KryeKreut…

Nga Ardit GJINALI

Periudha kohore e qeverisjes “Rilindja e ansamblit të babëzisë” me regjisor KryeKreun vijon të shenjojë një regres të vazhdueshëm që përfshin dhe thellimin e mungesës së besimit politik mes palëve. Besimi i cënuar politik  dhe shkelja e marrëveshjeve politike në mënyrë arbitrare dhe të njëanshme janë elementët thelbësorë që e kanë dërguar vendin në një krizë të thellë politike; e tilla që vijon të jetë e pranishme dhe ndikon negativisht në çdo segment të shoqërisë shqiptare. Mediokriteti, meskiniteti, batuta boshe, besëprerja dhe mosmbajtja e fjalës janë paraqitur përpara publikut si vlera pozitive që dëshmojnë aftësinë kundrejt rivalit politik; janë konsideruar si instrumenta të lojës së shahut duke përdhosur dhe emrin e madh të këtij sporti të mendjes. Në fakt, është përdhosur shumëçka duke shkatërruar çdo instrument garantist dhe balancues; guri i qëllimtë Sizifian mbi krijimin e Gjykatës Kushtetuese është prova  më e qartë e vullnetit negativ për të shkatërruar sistemin demokratik duke mbyllur çdo hapësirë demokratike për rivalin politik që përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të votuesit.

Zhvillimet  politike të ditëve të fundit dëshmojnë qartë që dialogu politik, marrëveshja e çertifikuar, rregullat e qarta të garës elektorale, jo-konfliktualiteti janë temjani që trembin  një individ politik si KryeKreu i cili nuk vepron efektivisht nëse elementët e përmendur më sipër nuk thyhen, prishen apo ndryshohen në funksion  të kalkulimeve meskine. Njeriu politik, KryeKreu që e ka filluar, ndërtuar dhe vazhduar karrierën e tij politike mbështetur mbi kalkulimet dhe shkeljet e çdo rregulli demokratik, ndjen  sot perëndimin e yllit të tij të rremë politik. Tentativa e vazhdueshme për të ndryshuar me ligj rregullat e garës përmes  heqjes së të drejtës së koalicioneve mes partive dëshmon vetminë e madhe  politike të njeriut politik që nuk ka kursyer asnjë aktor politik që ka qenë në aleancë ose ka ndërtuar marrëveshje me të për interesat e vendit. “AI” ndjen vetminë e madhe në një stinë të nxehtë politike; e tilla që e detyron të ndërmarrë hapa dhe akte të sforcuara që zbulojnë paranojën  nga vetmia politike; është i ndërgjegjshëm për  trenin e gjatë të përfituesve hipokritë të cilët e brohorasin, por  do e braktisin sapo   retë politike  të mblidhen dhe më shumë për të shkaktuar rrebeshin e  pandërprerë të revoltës ndaj praktikave të tij qeverisëse.

Burrështetasit janë përpjekur të shkruajnë fatin e tyre politik duke diktuar apo tejkaluar rrethanat  dhe duke pasur në fokus interesin e gjerë publik në raport me atë të ngushtë politik; politikanët e vegjël pavarësisht detyrës së lartë hierarkike janë diktuar nga rrethanat dhe aleancat e errëta të cilat nuk i kanë lenë të lirë që të vendosin fatin e tyre politik. Ata…politikanët e vegjël janë gjendur vetëm, të braktisur dhe të ngërthyer në kalkulime iluzive  që  sipas  tyre do ti shpëtonin nga vetmia politike. Nuk munden, nuk mundet sepse ka patur vullnetin e pashembullt pët të goditur gjithçka dhe këdo, për të grisur çdo marrëveshje politike për një  ngastër më shumë  pushtet.

 

Tentativa për të ndaluar krijimin e koalicioneve është  përpjekja e rradhës dekurajuese për të frenuar frymën e ndryshimit që po kultivohet çdo ditë në çdo segment të shoqërisë ; është përpjekja për të frenuar një bashkim të madh  shoqëror për të mbrojtur sistemin, republikën dhe demokracinë.

Bashkimi i madh për ditë më të mira për shoqërinë dhe Republikën është përgjigja më efektive ndaj çdo kalkulimi meskin që është  mbrujtur në të njëjtat zyra dhe mendje politike; të tillat që janë përgjegjëse për një rrugëtim qeverisës që e ka bërë Shqipërinë më të dobët në çdo kontekst. Thirrja për një bashkim  të madh mbetet  një thirrje e përsëritur ; e tilla që nuk mund të kthehet në  një thirrje të   mërzitshme  sepse rreziku i humbjes së lirisë dhe demokracisë  është më i madh sot dhe do të jetë më i dhimbshëm  nesër; shumë më i dhimbshëm  se  mërzitja  ndaj një thirrjeje  të përsëritur  për mbrojtjen e tyre sot.