Situatë tragjike në plazhe, humb jetën një tjetër pushuese

Situatë dramatike mund të cilësohet ajo në bregdetin shqiptar, ku mbrëmjen e sotme u raportua për një tjetër viktimë në radhët e pushuesve.
Viktima e radhës u raportua se pushuesja 71-vjeçare, Sherife Lushaku, nga Podujeva e Kosovës, e cila u gjet e mbytur në plazhin e Shëngjinit në Lezhë.

Ajo ndodhej në plazhin e Shëngjinit së bashku me familjen e saj dhe humbi jetën, menjëherë sapo u fut për t’u larë në det.

Ajo që e bën edhe më tragjike këtë humbje, është fakti se kjo është humbja e tretë brenda një jave në radhët e pushuesve nga Kosova në Shëngjin.
Ndërkohë që më parë kishte humbur jetën edhe një 73-vjeçar si dhe një 38-vjeçare po me banim në Kosovë.

“Më datë 15.07.2020, në Shëngjin, Lezhë është mbytur në det shtetasja Sh.L.,71 vjeçe, banues në Podujevë, Kosovë. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.