Situata e rëndë nga Covid-19/ Mjeku: Mungonte një strategji e qartë…

Mjeku Arjan Mezini, i ftuar në News 24, deklaroi se situata nga koronavirusi mbetet

shqetësuese. Mezini tha se në kohën që njerëzit ishin në izolim, duhet të kishte një strategji të qartë sesi do të bëhej hapja, por kjo nuk u duk gjëkundi.

“Unë do e quaja situatën shqetësuese dhe si qytetar të përdorim maskën, sidomos në ambjente të mbyllura dhe të mbajmë të gjitha kushtet e higjenës. Ajo periudhë 3-mujore duhej të shfrytëzohej që cdo njeri të mund të dinte se çfarë do të bënte me hapjen. Situata është shqetësuse, dhe unë e shoh për shkak të mungesës së një strategjie të qartë.

Situata ka agravuar më tepër. Komplikacioni kryesor është pneumonia. Për cdo pacient duhet bërë diagnozë e plotë. Ka shumë pacientë që kanë pneunomi dhe nuk rrinë në spital, por ikin në shtëpi. Ata duhet të qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve”, tha Mezini.

Mjeku Mezini theksoi më tej se me rastet e reja, spitali i Covid-3 duhet të ishte hapur tashmë.

“Covid-3 duhet të ishte i hapur. Të sëmurët në moshë të re duhet që të kenë kujdes se mos e përhapin tek të afërmit që janë të moshuar, sidomos kur rrinë pranë prindërve ose gjyshërve.

Ka pasur edhe nëna shtatëzënë që kanë ardhur tek Spitali Infektiv. Gjë nuk kemi dëgjuar e besoj ka dalë mirë. Me hapjen do të kishim një rritje numrash. Unë prisja që brenda 3 muajve të ishin marrë masat e të kishte kontrolle minimale. Kjo gjë nuk ndodhi, fatkeqësisht. Njerëzit u lodhën nga masat ekstreme. Njerëzit po ashtu duhet të ishin të kujdesshëm, pas hapjes”, u shpreh Mezini.

Deri tani, sipas shifrave zyrtare, Shqipëria numëron  2819 raste pozitive me Covid-19, nga të cilat 1108 ende aktive, ndërsa 74 persona kanë humbur jetën.