Situata e Covid-19 ka dalë jashtë kontrollit, mjeku i njohur shpërthen kundër Ramës: Pse nuk heton prokuroria?

Teksa koronavirusi në vend ka dalë jashtë kontrollit pas tre muajsh izolimi që shkatërruan ekonominë dhe shëndetin e shqiptarëve, mjeku Artan Koni ka reaguar plot zemërim ndaj qeverisë.

Mjeku shkruan se, Qeveria kishte mundësi që gjatë këtyre 3 muajve të shtonte ndjeshëm kapacitetet spitalore për përballimin e situatës… por shohim që kapacitetet janë relativisht njësoj si më pare.

Reagimi i plotë i mjekut Artan Koni

COVID-19 në rënie të lirë!!

Gjatë 3 muajve të fundit kemi dëgjuar nga ISHP-ja se nuk ka mungese testimesh, se testimet bëhen fiks aq sa duhet, se gjurmimi i rasteve bëhet konform rregullave… nga ana tjetër kemi shifrat zyrtare të OBSH-se. Jemi vendi i fundit në Europë për sa i përket numrit të testimeve për 1 milion banorë… vetem 8941. Kroacia rreth 20.000, Bosnja, Maqedonia e Greqia rreth 30.000, Serbia rreth 50.000 testime për 1 milion banorë.

Qeveria kishte mundësi që gjatë këtyre 3 muajve të shtonte ndjeshëm kapacitetet spitalore për përballimin e situatës… por shohim që kapacitetet janë relativisht njësoj si më parë… përveç donacioneve të 5 apo 10 aspiratorëve nga disa qeveri europiane, të cilat i falenderojmë sepse nuk na e kanë për borxh. Ne paguajmë taksa sa për të pasur gjithsecili aspiratorin personal, jo më të kemi nëpër spitale mungesa mjetesh elementare si dorezat, maskat apo solucionet disinfektuese.
Prisnim që, fjala bie, fasoneria e Shkodrës të ishte probabilisht vatër e madhe infeksioni sepse (me demek) njerëzit që punojnë aty nuk janë aq të përgjegjshëm sa duhet… por pamë që vatra e infeksionit më e madhe në vend ishte spitali i vetëm universitar që kemi.

Pas 3 muajsh gjendje të jashtëzakonshme dhe kufizime lirie nga më absurdet, qeveria sillet me një strategji të përgjithshme të tipit “e ka fajin populli”. Po në QSUT kush e pati fajin, doktorët??
Në këto muaj pandemie vazhduan normalisht pagesat për PPP-të si sterilizimi e inceneratoret e plehrave, apo u bënë tendera të rinj për shërbime sekondare, me një vlerë të fryrë. Edhe për këto populli e ka fajin?? Me këto para mund të ishte përballuar shumë më mirë e gjithë kjo situatë.
Nëse faji është vetëm i popullit, përse kryeministri i Italisë thirret në prokurori për të dëshmuar rreth masave të marra nga qeveria e tij?

Përse kryeministri i Francës u shkarkua nga detyra dhe tani përballet me drejtësinë franceze nëse e ka menaxhuar siç duhet situatën e pandemisë, apo jo?? Përse prokuroria shqiptare nuk nis një hetim të tillë, përderisa numri i rasteve po shtohet frikshëm? Apo prokurorinë e kemi vetëm për t’iu sulur spitaleve private, të cilët donin t’i bënin tamponin atyre individëve që ishin të interesuar për këtë shërbim dhe 127-a i thoshte “nuk je aq rëndë sa të bësh tamponin”?! Po normal, kur komiteti i COVID-it përbëhet nga partiakë dhe jo profesionistë të fushës, vetëm kështu lloj këshillash mund të presësh. Kur jam shumë rëndë, mos ma bëj tamponin fare, e kuptoj vetë çfarë kam… dhe ndërkohë ia kam shpërndarë infeksionin gjithë lagjes.

Ndërkohë që populli digjet nga COVID-i, qeveria krihet duke shpalosur projekte 3D të akseve rrugore nga më të çuditshmet. Hera e parë në këto 40 vjet që dëgjoj për aksin Milot-Fier… por ndërkohë Shqipëria konsiderohet vend ku pandemia ka dalë jashtë kontrollit. Kjo është arsyeja perse 1 miliard kinezë shëtisin lirshëm nëpër Europë, kurse 2 milionë shqiptarë nuk shkojnë dot as te komshiu poshtë.

Disa mund të thonë “iku kjo pune tani”. Unë them “më mirë vonë se kurrë”. Duhet urgjentisht të ngrihet një grup pune me profesionistë jo-partiake, duhen anuluar të gjithë koncesionet jo të domosdoshme, duhet subvencionuar biznesi që t’i zbatojë rregullat pa pasur frikën e falimentimit… shkurtimisht duhet krijuar një strategji e mirëfilltë, të cilën qeveria ta zbatojë pa i hequr presjen. Është e thjeshtë fare, duhet vetëm vullnet politik. Për këto probleme të rëndësishme duhet të ngrejë zërin një ministër shëndetësie i përgjegjshëm.