Simeone: Jam pa fjalë nga situata e Griezmann tek Barcelona

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, tha që ai “ka mbetur pa fjalë” për vështirësitë me të cilat po përballet ish-ylli i skuadrës së tij, Antoine Griezmann, në Barcelonë.

Antoine Griezmann u inkuadrua në ndeshjen kundër ish-klubit të tij, Atletico Madridit, vetëm në minutën e 90-të, ndërkohë që Barcelona u nda me barazim 2:2 nga kjo ndeshje.

Për Griezmann, që u transferua në Barcelona verën e kaluar për 120 milionë euro, tifozët e Barcelonës kishin krijuar pritshmëri të larta, mirëpo francezi nuk ka arritur ta dëshmojë veten ende në Camp Nou, ku në javët e fundit i ka nisur ndeshjet në stol edhe kundër Sevillës dhe Athletic Bilbaos.

Griezmann i ka shënuar tetë gola në La Liga dhe 14 gjithsej, mirëpo nuk ka arritur të kontribuojë me gol që nga shkurti dhe e gjitha kjo situatë e ka lënë të befasuar Simeonen.

Kur u pyet për Griezmannin, Simeone tha për Movistar: “Jam pa fjalë”.

Duke e sqaruar vendin e Griezmannin në stol, përderisa Lionel Messi, Luis Suarez dhe Riqui Puig ishin titullarë në sulm, trajneri i Barcelonës Quique Setien tha: “Është e vështirë ta inkuadrosh atë në lojë pa e destabilizuar skuadrën”.