Shqiptarët të braktisur nga qeveria dhe të izoluar nga Europa

Nga Kastriot ISLAMI

Në periudhën e parë, mars-qershor 2020, qeveria shqiptare rezultoi e fundit në Europë…. Ky ishte përfundimi i një analize të bërë për 200 vende të planetit nga një fondacion prestigjioz  lidhur me ‘efikasitetin e menaxhimit qeveritar’ të krizës sanitare të shkaktuar nga COVID-19… Ndonëse qeveria Rama dhe vetë Rama gjatë kësaj kohe u mburrën duke deklaruar se:

Kemi marrë të parët masat më të forta në të gjithë botën… por kjo mburrje u shfry shpejt…

Ia kemi kaluar në menaxhim sepse kemi pasur numrin më të ulët të infektimeve dhe vdekjeve në Europë, duke stigmatizuar veçanërisht Italinë, Spanjën, por edhe Gjermaninë… por edhe kjo tullumbace u shfry shpejt e tani është e dukshme qartas se për shkak të shifrave të larta të infektimeve shqiptarët janë të izoluar për të udhëtuar në Europë e gjetiu…

Po të krahasohen të dhënat për numrin e të infektuarve dhe vdekjeve nga COVID-19 për periudhën 27 mars deri në 19 korrik 2020, vihen re dy pamje:

Në periudhën e parë, mars-maj 2020, kur shqiptarët u detyruan të mbylleshin nën masa të rrepta e drastike, të keqplanifikuara e të keqmenaxhuara, të një qeverie dështake, të papërgjegjshme dhe dhunuese të të drejtave themelore të njeriu, duke zgjatur izolimin me akte normative antikushtetuese e për më tepër në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, e duke kryer tendera të fshehtë e korruptive, vendi filloi të zhytej në krizë të thellë ekonomike që nuk dihet se kur do të mund të fillojë të dalë… por edhe në aspektin e ‘efikasitetit qeveritar’ Qeveria Rama u vlerësua më e ‘dobëta’ dhe e fundit në Europë e rajon…

Në periudhën e dytë, qershor-korrik 2020, qeveria Rama e ka abandonuar tërësisht menaxhimin e krizës sanitare, ndërkohë që edhe kriza ekonomike po vazhdon të thellohet dhe vendi po shkon drejt katastrofës sanitare dhe rrënimit ekonomik… Veprimet e qeverisë Rama janë tërësisht të papërgjegjshme deri kriminale… Ndërkohë që Rama po mendon e punon vetëm për fatin e tij, ose më saktë po ‘kërkon pazare’ për garancitë e mosndëshkimit të tij sepse e ka të qartë që mbështetja ndaj qeverisë së tij ka shkuar në nivele shumë të ulëta… Shifrat e të infektuarve në 20 ditët e muajit korrik është 1555, ndërkohë që në mars e prill kjo shifër ishte rreth vlerës 300 duke arritur madje në maj vlerën minimale 186… Po ashtu edhe përsa i përket vdekjeve, në shifra 20 ditore në muajin korrik ka arritur vlerën e frikshme 50, ndërkohë që në periudhën mars-prill kjo shifër ishte 6-17 madje duke arritur në muajin maj në zero….

Fajin s’e kanë aspak qytetarët që akuzohen nga Rama e qeveritarë të tjerë se ‘nuk mbajnë maskat’ ndërkohë që i) ‘maskat në Shqipëri shiten më shtrenjtë se kudo’…; ii) mjekët janë të keqpajisur dhe në mënyrë të pamjaftueshme me mjete mbrojtëse; iii) testet bëhen me urdhër nga lart me diletantizëm dhe krejtësisht të pamjaftueshme; iv) e gjithë kjo gjendje duket qartas kur shqiptarët mësojnë se oligarkët dhe të pasurit edhe për trajtimin mjekësor nga COVID marrin charter-a të shtrenjtë dhe shtrohen në spitale të shtrenjta të Europës…

Mjekët nga ana tjetër po punojnë me heroizëm… Por qeveria ka dështuar edhe gjatë kësaj periudhe 5-mujore siç ka dështuar edhe gjatë 7 vjetëve të drejtimit të punëve të vendit… edhe në drejtim të mbështetjes që duhet t’i japë personelit mjekësor… ndërkohë që nuk ka munguar edhe propaganda e panikuese e deri kriminale e një qeverie që mendon që gjithçka ka maskojë me mashtrime e kërcënime të publikut…

E në këtë situatë të rëndë, sanitare e ekonomike, Rama dridhet e përdridhet, duke dalë kundër edhe SHBA e BE thjesht dhe vetëm për të fituar garancitë e mosndëshkimit e për të shijuar pasuritë e vjedhura gjatë qeverisjes së tij dështake e kriminale që ka varfëruar shqiptarët e i ka detyruar të emigrojnë, e tani të lënë në mëshirën e fatit, nën kërcënimin e ‘vdekjes’ nga COVID-19.