Shqipëria mund të shpëtohet nga Pandemia e Varfërisë!

Nga Jorida TABAKU

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë të pak ditëve më parë misioni i FMN-së i rikujtoi qeverisë Rama se tentativat e saj për të prishur ekuilibrat makroekonomik të vendit nuk mund t’i shërbejnë shqiptarëve por interesit personal të një njeriu, Edi Ramës.

Arsyeja e qartë pas kësaj deklarate mbetet keqpërdorimi që Rama dhe qeveria e tij i kanë kryer fuqisë së shtetit. Rrjedhojë e kësaj sjellje është edhe kriza e thellë që ka prekur ekonominë e vendit këto 7 vite dhe që kulmuan këtë vit. Ndihma e cunguar karshi biznesit dhe qytetarëve, mungesa e likuiditetit në treg ndërsa nga krahu tjetër vazhdimi i pagesave për PPP-të e oligarkëve dhe zgjerimi i këtyre pagesave në rrugë imagjinare 3D janë një rrezik. I cili, për nga natyra e tij përbën shqetësim edhe për një institucion serioz si FMN.

Për të justifikuar keqpërdorimin e buxhetit të shtetit në projekte kriminale dhe me rritjen e borxhit publik në mbi 85% të PBB-së, Ramës i duhet të propozojë absurditete. Kështu i bindur se shqiptarët do të gënjehen edhe një herë prej tij, ka vendosur të kopjojë keqazi tezat dhe parimet me të cilat PD ka vite që pre valon në diskutimin publik.

Ndërkohë që vijon me këto përpjekje të pashpresa për të mbuluar krizën e thellë, treguesit realë të klimës së biznesit janë më të ulëtit në rajon, sondazhi i zhvilluar nga EUROBAROMETRI tregon se ne renditemi të fundit në rajon në lidhje me besimin në ekonomi. Banka Botërore raporton se 50% e shqiptarëve do të kenë të njëjtin nivel varfërie si në vitin 2005.

Këto shifra janë vetëm se maja e ajsbergut të një ekonomie që është futur në dishezën e krizës e cila do ndjehet gjithënjë e më shumë në muajt e ardhshëm.

Nën trysninë e një parashikimi me një rënie ekonomike sa 9% e PBB-së, zgjidhja e qeverisë nuk është aspak miqësore për biznesin e ndershëm.

Në këto kushte, përballë krizës që ka prekur vendin Rama, si një autokrat tipik, propozon një përjashtim të pazbatueshëm nga taksat dhe njëkohësisht propagandon nismën e Amnistisë Fiskale.

Të dyja nisma të kritikuara po njëlloj nga FMN, e cila i konsideron të rrezikshme për stabilitetin fiskal këtë kopje të keqe heqjen e tatim fitimit, një klithmë elektorale kur nga ana tjetër taksa dhe tarifa vendore janë tre apo pesëfishuar. Kopja e keqe nuk do ta shpëtojë nga ngelja në klasë!

Ndërkohë, alternativa që Partia Demokratike i ofron shqiptarëve ka në bazë thjeshtësinë dhe lehtësinë e të bërit biznes. Ajo që ne ofrojmë ka në qendër qytetarin dhe mirëqenien e tij. Taksa për biznesin e vogël me normë 0.5% mbi xhiron vjetore ku përfshihen dhe taksat lokale do t’i hapë mushkëritë e bllokuara atij sektori që ka 70% të të punësuarve në vend. Duke e bërë këtë në mënyrë të ndershme e të drejtë.

Vendosja për pjesën e mbetur të bizneseve të taksës së sheshtë prej 9% do t’i incentivojë ato që të ri-investojnë fitimin e tyre në pagat e punonjësve apo në zgjerimin e biznesit. Njëkohësisht vendosja e Tatimit mbi të Ardhurat Personale për të punësuarit me pagë nga 30 mijë lekë e sipër, në normën e 9% është një tjetër plus për të incentivuar konsumin.
Bindja jonë se qytetari i menaxhon më mirë të ardhurat se sa një shtet i madh e burokrat që abuzon më kollaj me taksat e shumta.

Shqipëria e 18 taksave që krijojnë kaosin e madh dhe në të cilën kontabilistët angazhohen më së shumti për t’ua gjetur anën, do të jetë ndryshe nën qeverisjen tonë. Pasi ne do të thjeshtojmë edhe më tej këto grupe taksash duke eliminuar ato që janë të padobishme apo duke bashkuar në një disa taksa të ndryshme.

Ne besojmë tek energjia pozitive e shqiptarëve, besojmë tek dija dhe kapacitetit e secilit prej tyre. Prandaj politikat tona fiskale dhe ekonomike do të incentivojnë përherë këto karakteristika. Ndajmë plotësisht të njëjtin shqetësim me FMN për rrezikun që i kanoset shqiptarëve nga kjo qeveri.

PD po punon çdo ditë për të shmangur këtë rrezik duke u përpjekur që t’i ofrojë shqiptarëve një model të ndryshëm në qeverisje, normalitet dhe prosperitet për veten dhe familjet e tyre. Jemi në rrugën e drejtë për t’iu rikthyer atyre shpresën dhe punën. Zgjidhja dhe zgjedhja e vetme për ta nxjerrë atë nga Pandemia e Varfërisë.

http://www.panorama.com.al/shqiperia-mund-te-shpetohet-nga…/