Shpend Ahmeti: Basha, interesim të vazhdueshëm për Kosovën! Ndihma e Shqipërisë është më e domosdoshme se kurrë

Kryetari  i PD, Lulzim Basha, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë është pritur nga kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Basha dha një deklaratë për mediat së bashku me Ahmetin, pas takimit që zhvilluan së bashku.

Kryetari i kryeqytetit të Kosovës, Ahmeti theksoi në fjalën e tij se, “ajo që tashmë nevojitet është një kohezion bukur i mirë i faktorit politik, së pari brenda shtetit të Kosovës, por edhe tepër me rëndësi mendoj, një koordinim i faktorit politik shqiptar në përgjithësi.

Këtu nuk  nënkuptoj vetëm partitë dhe forcat politike që mund të jenë në pushtet në Shqipëri, por edhe opozitën dhe të gjitha subjektet politike që cilat kanë ndikim për të qënë sa më të koordinuara në muajt në vijim”.

Fjala e plotë e Shpend Ahmetit

“Pata kënaqësinë që në zyrën e kryetarit të komunës së Prishtinës të pres dhe jo për herë të parë, kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, zotin Lulzim Basha.

Po e quaj Luli, sepse me Lulin jemi shumë mirë, unë e thashë, është kosovar, sepse ka jetuar këtu. Unë e njoh prej kohësh, kur ka qënë me punë në Kosovë pas përfundimit të luftës dhe kemi vazhduar komunikimin edhe sot.

Kur fitova unë ishte kryetar bashkie në Tiranë dhe shfrytëzuam rastin që të flasim për ngjarjet e fundit, për situatën politike jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Me theks të veçantë në Kosovë.

Gjithnjë e falenderoj Lulin për interesimin e vazhdueshëm që ka pasur për Kosovës, duke marrë parasysh që është dhe interes bazik jo vetëm për shtetin e Kosovën, por edhe i shtetit të Shqipërisë që Kosova, në këtë situatë që është, t’i afrohet e gjithë ndihma e mundshme.

E theksova edhe njëherë atë që kam thënë tërë kohën edhe në mediat në Kosovë, ajo që tashmë nevojitet është një kohezion bukur i mirë i faktorit politik së pari brenda shtetit të Kosovës por edhe tepër me rëndësi mendoj, një koordinim i faktorit politik shqiptar në përgjithësi dhe këtu nuk  nënkuptoj vetëm partitë dhe forcat politike që mund të jenë në pushtet në Shqipëri, por edhe opozitën dhe të gjitha subjektet politike që cilat kanë ndikim për të qenë sa më të koordinuara në muajt në vijim.

Gjithmonë themi ky është vit vendimtar. Nuk po them vit vendimtar, por është periudhë e vështirë për Kosovës edhe në aspektin e politikës së jashtme, jo vetëm për sa i përket Gjykatës, por në përgjithësi sa i përket dialogut që tashmë po zhvillohet në mënyrë paralele, pak në Uashington, pak në Bruksel, pra është perudhë e vështirë dhe po t’i shtohet edhe çështja e problemeve ekonomike dhe shëndetësore që po i kemi prej pandemisë, pastaj edhe krizën politike, mendoj se ndihma e Shqipërisë është më e domosdoshme se kurrë, ndoshta krahasuar edhe me ndihmën që shteti shqiptar ia ka dhënë Kosovës posaçërisht në vitet ‘90. Kësaj radhe na nevojitet një kohezion për të mbijetuar dhe dalë prej kësaj”.