Rama i përket së shkuarës

Nga Namir LAPARDHAJA

‘Wadephul është miku i Lulit!’, u shpreh Rama për të zhbërë disi peshën e deklaratës së nënkryetarit të grupit parlamentar CDU-CSU në Bundestagun gjerman.

Kemi të bëjmë thjesht me një tentativë për t’i dhënë debatit një ngjyrë të politikës së tij në Tiranë, ku mendon se Wadephul është kryetari i bashkisë së Librazhdit, që mund të hidhet në Shkumbin nëse i thotë Taulant Balla.

Kjo ishte vetëm njëra nga ato deklaratat qesharake të situatës së ngushtë që ndodhet Edi Rama, i cili deri më sot i ishte paraqitur shqiptarëve si dashnor i vullnetit të ndërkombëtarëve, si zëri i tyre, duke aluduar se kundërshtari politik nuk është i dëshiruar si ai në Perëndim. Kanë mjaftuar ditët e fundit që Rama të hedhë tutje atë lëkurë prej qengji politik me ndërkombëtarët e t’u tregojë se ‘Parlamenti është sovran’ (!). Ky lloj humori është paksa i vështirë të kapërdihet edhe nga Musa Ulqini, që në vend të tamponit merr lëpirëse.

Sovraniteti i Parlamentit të sotëm, sidomos ai deputetëve që ai i quan opozitar, është aq qesharak, sa ata që ai i ka quajtur opozitë votuan pikërisht kundër marrëveshjes që Gjiknuri ka firmosur në emër të tij në tryezën politike me PD-në dhe LSI-në. Kemi një ‘opozitë’ që kundërshton qeverinë që të lidhë marrëveshje me opozitën! Pra, më fantatikë për të mbrojtur Ramën sot në Kuvend se ata që u lanë në dorë një flamur si të opozitës nuk ka.

E qartë është se Rama sot ndodhet në vështirësi politike. Shtatë vite në pushtet e kanë rrënuar nga çdo anë, sidomos nga morali i çështjes së integrimit, ku në mënyrën më qesharake ka festuar një marrëveshje me Bashkimin Europian, të cilën jo vetëm që nuk e kemi, por edhe po na largohet gjithnjë e më shumë. Ai është shndërruar në torollakun e fshatit që bën dasmë pa nuse dhe krenohet për këtë lloj martese.

Gjithsesi, përtej humorit kaps të z. Rama, tashmë, e kemi të qartë se ai që paraqitej si njeriu që do na afronte me vlerat europiane dhe amerikane, është më afër çdo autokrati të tipit Çavez dhe Fuxhimori, që kërkon të rrëmbejë demokracinë. Një këmbëngulje e tillë nuk është thjesht një rrezik për mosardhjen e opozitës në pushtet, por një rrezik që shqiptarët të përjetojnë një diktaturë të re.

Kush mendon se nuk ka zgjidhje, gabohet. Ai këto ditë thjesht po u rrëfen shqiptarëve se nuk ka më premtime për ta siç i ka gënjyer deri më tani, sepse nuk ka më alternativa, por vetëm një përpjekje për t’i poshtëruar. Opozita nuk duhet të mendojë për të, që është rrëzuar nga shumica e shqiptarëve dhe pret vetëm të konfirmohet me votë. Opozita duhet të ketë vetëm një alternativë- të krijojë një marrëveshje, një aleancë me të gjithë qytetarët, duke iu përgjigjur dëshirës së gjithë shqiptarëve që të kemi një qeverisje larg qesharakes dhe poshtërueses që ndërtoi Rama, duke fyer jo vetëm opozitën, por çdo socialist që e do këtë vend.

Bundestagu, BE në Bruksel dhe përfaqësuesi në Tiranë, dhe përfaqësuesja diplomatike e SHBA e kanë bërë të qartë se janë për marrëveshjen politike. Ata që kanë firmosur në parlament si përfaqësues të opozitës nuk përfaqësojnë askënd, nuk kanë asnjë tagër moral për marrëveshje, pasi opozita e bashkuar ka shprehur një vullnet tjetër. Ata nuk përfaqësojnë askënd, përveç Edi Ramës dhe interesave të një bande që kërkon të mbajë peng Shqipërinë. Shakave perverse dhe kapse të Ramës i duhet t’i përgjigjet një opozitë që di të fitojë shqiptarët, duke i kujtuar se kufomat politike meritojnë thjesht një përcjellje në të shkuarën.