Rama i mbyll dhe i kërcënon, Britania e Madhe hap thesin për lokalet e natës dhe muzikës live

Në Britaninë e Madhe, qeveria ka menduar edhe për muzikën. Qeveria britanike e Boris Johnson ka akorduar një ndihmë emergjente për shkak të pandemisë, për ambientet muzikore, prej 2.25 milionë paundësh. Sekretari i Kulturës, Oliver Doëden, ka prezantuar planin për të shpëtuar rreth 150 ambiente muzikore nga falimentimi si pasojë e izolimit nga pandemia.

Ai tha se për sektorin do të jepen 2.25 milionë paundë nga një fond që në total kap shifrën e 1.57 miliardë paundësh, që vendi akordoi më 5 korrik për artin në përgjithësi në Britaninë e Madhe.

“Pa këto ambiente ku këndohet live, ne nuk do të kishim patur Beatles, Adele apo Elton John”, tha ai. “Thuajse të gjithë yjet tanë të muzikës, të famshëm në të gjithë botën, e kanë filluar karrierën e tyre në klubet britanike dhe ambientet e muzikës live. Dhe ne duhet të sigurohemi që ato t’i bëjnë ballë stuhisë Covid”.

Ai tha po ashtu se po punonte për të dërguar në destinacionet e duhura pjesën e mbetur të paketës së emergjencës prej 1.57 miliardë paundësh, sa më shpejt që të jetë e mundur. Të gjitha lokalet e rrezikuara do të marrin grante deri në 80 mijë paundë. Fondet do të shkojnë për të gjitha njësitë në Skoci, Uells dhe Irlandën e Veriut.

Lajmi është mirëpritur nga vetë pronarët e industrisë që numëron më shumë se 800 ambiente të tilla në të gjithë vendin.

Ndërkohë në vendin tonë të gjitha lokalet e natës dhe të muzikës live janë të mbyllura, ndërsa nuk është dhënë asnjë lloj ndihme as për ta, dhe as për artistët që performojnë në to.