Rama i kthehet idesë së “Shengenit Ballkanik”, kërkon t’i mbushë mendjen kryeministrit të Kosovës

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës me homologun e tij të Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitës që ky i fundit po zhvillon në Tiranë tha se, në muajt e ardhshëm do të ketë dy takime të përbashkëta mes qeverive, të parashikuara në muajin Shtator dhe Nëntor.

“Jemi dakorëdësuar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive, me shpresën që situata jo e lehtë lidhur me COVID të na e mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit.

Jemi dakordësuar edhe për një tjetër event të rëndësishëm që do të zhvillohet për herë të parë mes nesh, me shpresë se situata do të na e mundësojë në nëntor, ku dy qeveritë të sponsorizojnë kongresin e parë të autoriteteve vendore, që dëshirojmë të kthehet në një kongres tradicional, ku kryetarët e bashkive dhe komunave, sikur quhen në Kosovë, të ndajnë praktikat e mira, sfidat e përbashkëta në adresimin e problemeve komuniktare dhe potencialin e nismave të përbashkëta”, u shpreh Rama.

Ndërkohë që duke iu referuar aktakuzës ndaj Thaçit, Rama tha se, ajo fletërrufe ishte një arsye për të nxitur urrejtjen ndaj shqiptarëve. Po ashtu Rama iu rikthye idesë së tij për Minishengenin Ballkanik, i cili nuk u pranua nga ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Akt akuza ishte një fletërrufe, dhe ishin të pritshme keqinterpretimet ndaj saj. Krimet në luftë të mos transformohen në një padrejtësi. Në kushtet e nevojës për të përparuar më shpejt në të gjithë procesin e kohezionit strategjik, lidhur me jetën e përditshme të njerëzve dhe të mallrave, Shengeni rajonal në këndvështrimin tim mbetet një mundësi që shqiptarët këtej dhe andej kufirit duhet të shohin interesin e tyre bashkërisht. Askush nuk na pengon që ne të heqim kufirin mes dy vendeve pa asnjë kontroll”, tha Rama.