Pse kompleksohen socialistët nga prishja e dakortësisë së 5 qershorit?

Nga Red VARAKU

Janë bërë të lodhshme spërdredhjet dhe gjuha e dredharake e qeverisë për të argumentuar që marrëveshja e 5 qershorit nuk është prishur.

Kur kjo tashmë është e qartë për të gjithë. Edhe më naivi e kupton që nëse bëhen ndërhyrje në Kushtetutë, të cilat ndalojnë koalicionet politike, marrëveshja quhet e prishur.

Quhet e prishur sepse në marrëveshjen e 5 qershorit e drejta për koalicionet është e shkruar e zeza mbi të bardhë në shqip dhe anglisht.

Nuk e kuptoj pse kanë kompleks ta pranojnë këtë realitet, sepse kështu bëhen tërësisht të pabesueshëm edhe për mbështetësit e tyre.

Sigurisht, lëvizja e tyre e fundit hodhi në erë të gjithë dakortësinë e arritur deri tani, e cila kishte vulën e partnerëve tanë strategjikë BE dhe SHBA, por nëse mendojnë se kjo lëvizje është e sinqertë dhe ka për qëllim interesin publik, le ta thonë troç.

Kjo jo vetëm që do t’i qetësojë mbështetësit e tyre, por prej këtij vendimi do të marrin edhe mbështetjen e qytetarëve të tjerë, sigurisht nëse qëllimi është i sinqertë dhe bëhet për interesin e shqiptarëve.

Të gjithë jemi dakort që ne jemi shtet sovran dhe duhet të sillemi si të tillë, por ama nuk duhet të harrojmë që ne kemi dhe një axhendë për integrimin europian, për të cilën të gjithë kemi rënë dakort dhe nëse duam t’i shkojmë deri në fund duhet të respektojmë partneritetin me miqtë tanë.

Nga ky partneritet burojnë jo vetëm privilegje siç janë udhëtimi pa viza apo ndihmat financiare, por edhe disa detyrime të cilat ne me vullnetin tonë të lirë jemi angazhuar se do t’i përmbushim.

Tjetër gjë nëse Edi Rama ka vendosur të heqë dorë nga ëndrra dhe axhenda jonë për integrimin europian. Nëse është kështu le të na e thonë hapur bashkë me arsyet se pse nuk duhet të integrohemi në BE.

Por, boll me këtë që marrëveshja e 5 qershorit nuk është prishur, sepse këtë nuk po na e thotë vetëm lideri i opozitës së bashkuar, por po na e thonë të gjithë partnerët tanë strategjikë deri edhe Parlamenti Europian, i cili paralajmëron bllokimin e integrimit për Shqipërinë nëse kjo marrëveshje prishet.

Kjo gjë është më shumë se banale kur merret seriozisht si argument politik.

E vërteta është që rregullat e lojës janë vendosur që me pranimin e Këshillit Politik dhe prej asaj dite, palët kanë pranuar se e njohin njëra- tjetrën dhe pranojnë se do të përballen me njëra- tjetrën nëpërmjet disa rregullave të dakortësuara. Nëse do ta bënin në fund ashtu siç e duan vetë, për çfarë duhej atëherë Këshilli politik?

Ky është rasti kur një palë vendos të ikë nga fusha e lojës dhe thotë “nuk luajmë më me këto rregulla se kështu Basha na mund”.

Kjo jo vetëm e bën Edi Ramën të pabesueshëm dhe njeri qesharak, por i jep një bonus të madh opozitës, jo vetëm në sytë e ndërkombëtarëve, por edhe në sytë e opinionit publik, sepse e nxjerr Ramën një njeri që ka frikë të përballet, sepse ka frikë nga humbja.

Prandaj, të gjithë ata që mbrojnë sot këtë vendim dhe bëjnë sikur nuk i kuptojnë pasojat e tij, duhet ta dinë se nuk po dalin kundër PD, por po i dalin kundër vullnetit të faktorit ndërkombëtar për një zgjidhje politike në përputhje me axhendën tonë të integrimit.

Ata duhet të shqetësohen kur bëjnë sikur dëgjojnë me durim një idiotësi të tillë, që ka disa ditë që përsëritet nga goja e Edi Ramës, sepse do t’i duhet të jetojnë gjatë me pasojat e këtij vendimi.