Protestuesi i tregon kacidhet policit: Hajde jeto ti me këto! Jeni më shumë ju sesa ne të pranishëm

Ende pa nisur mirë protesta e artistëve dhe pronareve të bareve dhe të lokaleve të natës përpara kryeministrisë në Tiranë, policia ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar me forcë disa prej të pranishmëve.

Qindra punonjës të policisë ishin angazhuar rreth e qark kryeministrisë që prej orëve të para të mëngjesit, për të penguar mbajtjen e protestës, që sipas tyre është në shkelje të ligjit, për shkak të pandemisë.

Nuk kanë munguar as momentet e tensionit, ndërkohë që për tu veçuar ishte biseda e një prej të pranishmëve me punonjësit e pòlicisë, që i kërkonte të jetonte me lekët që ai nxjerr në biznesin e tij.

Punonjësi i Policisë: Në pandemi nuk lejohen grumbullimet.

Protestuesi: Në fakt jeni më shumë ju sesa ne të pranishëm, na jeto ti me kaq lekë, hajde jeto ti. Çfarë do haj unë, asnjë mos të më prekë me dorë se jam për copë buke unë këtu, nuk jam legen, nuk jam rrugaç.

Gjatë ditës së djeshme ministria njoftoi se do të qendrojë të mbyllura të gjitha lokalet e natës dhe lounge baret, ndërkohë që në të gjitha subjektet do të ndalohet muzika pas orës 20:00 të mbrëmjes. Edhe gjatë ditës së djeshme pati një protestë përpara kryeministrisë, të cilës Rama iu përgjigj me nota ironike dhe fyese.

“E pakonceptueshme që ka njerëz që ngrenë zërin pse ministria e shëndetësisë shtrëngoi masën për klubet e natës e diskot, ndërkohë që hapja e tyre nuk është lejuar asnjë ditë pas rihapjes së madhe! Zoti i ruajtë ata e familjet e tyre prej tyre dhe ruajtë të tjerët nga këto mendje!”, shkruante Rama në Twitter.

polic