Propozimi për hapjen e listave 100%, Meta përgëzon Bashën: Akt historik dhe shërbim i çmuar për demokracinë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas propozimit të Partisë Demokratike për hapjen e listave 100%.

Meta ka përgëzuar kreun e PD-së, Lulzim Bashën duke e cilësuar këtë pranim për hapjen e listave si një akt historik dhe shërbim i çmuar i demokracisë dhe rikthimit të parlamentarizmit të vërtetë.

Meta thekson se tani Këshilli Politik të punojë natë e ditë me ekspertët ndërkombëtarë për konkretizimin më efikas.

Reagim tjeter i Presidentit te Republikes Sh.T.Z Ilir Meta: Pranimi publik nga lideri i Opozitës së Bashkuar, z.Lulzim Basha për HAPJEN E LISTAVE 100% është AKT HISTORIK dhe SHËRBIM I ÇMUAR për demokracinë dhe rikthimin e parlamentarizmit të vërtetë. Është respekt dhe detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë. Tani Këshilli Politik të punojë natë e ditë me ekspertët ndërkombëtarë për konkretizimin më efikas.

Qendrimi i Opozitës së Bashkuar për listat e hapura: Është zbardhur qëndrimi i Koalicionit të Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik.

  1. Propozimi i PS për ndryshime të njëanshme të Kushtetutës të cilat lidhen me zgjedhjet dhunon Marrëveshjen Politike të 5 Qershorit. Këto ndryshime kushtetutese në veçanti zhbëjnë disa nene të Marrëveshjes së 5 Qershorit, përmes të cilave jo vetëm ruhen koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor, por edhe çdo parti brenda koalicionit vazhdon të ruajë të drejtën dhe mundësinë të konkurojë me listat e veta të veçanta. Ndryshimi i njënanshëm i PS, prek jo vetëm elementë të qenësishëm të sistemit që kanë impakt të drejtpërdrejtë tek rezultati, por gjithashtu prek të gjithë procesin e administrimit zgjedhor.
  2. Propozimi i njëanshëm i PS ndryshon elementët bazë të sistemit zgjedhor:
  3. a) Duke hequr koalicionet parazgjedhore si subjekt zgjedhor dhe duke ndryshuar për rrjedhojë formulën e ndarjes së mandateve;
    b) Duke ndryshuar konceptin e ndarjes administrative të zonave zgjedhore dhe organizimit elektoral;
    c) Duke krijuar mundësinë për ndryshimin e pragut elektoral; dhe
    d) Duke futur elementë të rinj në hartimin e listave dhe procesin e votimit.

Të gjithë këto elementë janë përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve.

 

  1. Në Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore, që është standardi i vetëm i gjithëpranuar për zgjedhje demokratike në vendet e Këshillit të Europës, thuhet shprehimisht se: “Qëndrueshmeria e ligjit ka rëndësi kritike për besueshmërinë e proçesit zgjedhor, i cili është me rëndësi jetike për konsolidimin e demokracisë. Praktikisht nuk ka shumë nevojë për mbrojtjen e parimeve bazë (ka pak të ngjarë që të ketë diskutime për to), por qëndrueshmeria e disa rregullave specifike të ligjit elektoral, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me vetë sistemin elektoral dhe hartimin e kufinjve të zonave zgjedhore, që me apo pa të drejtë, konsiderohet si faktor vendimtar për rezultatet e zgjedhjeve, duhet të tregohet kujdes jo vetëm për shmangien e manipulimeve në favor te partisë në pushtet, por edhe çdo perceptim, sado i vogël, për manipulim. Problemi nuk konsiston në ndryshimin e sistemeve zgjedhore – ato gjithmonë mund të ndryshojnë duke u përmirësuar – por rishikimi i tyre i shpeshtë ose përpara (brenda një viti) zgjedhjeve. Edhe sikur qëllimi të mos jetë manipulimi, përsëri do të duket sikur ndryshimet jane diktuar nga interesat konjukturale politike……Një zgjidhje tjetër më fleksibël do të ishte të theksohej në Kushtetutë se, nëqoftëse do të ndryshohet ligji elektoral, për zgjedhjet e ardhshme do të aplikohet sistemi i vjetër – të paktën nëqoftëse këto zgjedhje do të zhvillohen brenda vitit të ardhshëm – dhe pas kësaj do të hyjë në fuqi sistemi i ri.”.

 

  1. Në përputhje me këto standarte ndërkombëtare:
  2. a) Nuk mund të ndryshohen 7 apo 8 muaj përpara zgjedhjeve, rregullat që kanë të bëjnë me vetë sistemin elektoral dhe hartimin e kufinjve të zonave zgjedhore, që me apo pa të drejtë, konsiderohet si faktor vendimtar për rezultatet e zgjedhjeve;
    b) Nuk mund të ndryshohen 7 apo 8 muaj përpara zgjedhjeve, rregullat që lidhen me koalicionet parazgjedhore dhe formulën e ndarjes së mandateve, duke u nisur nga interesat e njërës palë lidhur me konfigurimin politik që është krijuar në momentin para zgjedhjeve të rradhës. Ky ndryshim i njëanshëm nuk ka asnjë lidhje me qëllimin për hapjen e listave;
    c) Nuk mund të ndryshohen 7 apo 8 muaj përpara zgjedhjeve, rregullat për ndarjen e zonave zgjedhore, (koncepti “Rajone” është i papërcaktuar në ligjin në fuqi dhe heqja e referimit tek ndarja aktuale administrative është e papranueshme dhe e pakuptimtë). Ky ndryshim i njëanshëm nuk ka asnjë lidhje me qëllimin për hapjen e listave.

 

Hapja e listave nuk përbën asnjë arsye për të ndryshuar formulën ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe ndarjen e zonave zgjedhore. Koalicionet janë një mekanizëm ligjor që garanton mundësinë e partive politike për t’u grupuar sëbashku dhe për të ruajtur të padeformuar vullnetin e qytetarëve. Hapja e listave nuk ka asnjë lidhje me formulën e koalicioneve apo mënyrën e shpërndarjes së mandateve brenda koalicioneve, por ka të bëjë vetëm me garën brenda listës së një partie politike.

 

  1. Opozita e Bashkuar propozon se nëse kalohet në listat e hapura, atëherë të kalohet në një mekanizëm me lista të plota 100 % të hapura, me kusht që të mos bëhet asnjë ndryshim tjetër sa i takon formulës ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve.

Për Opozitën e Bashkuar është e papranueshme që 1/3 fituese e listave të jetë e mbyllur, ndërsa 2/3 të jenë të hapura, sic propozon PS. Kjo do të thotë në praktikë që pjesën dërrmuese fituese ta zgjedhin partitë dhe jo votuesit. Ku është risia këtu? Pra rreth 100 deputetë të jenë të paracaktuar, dhe vetëm afro 40 deputetë të jenë me votë parapëlqyese.

 

Për më shumë, kjo do të sillte si efekt që në disa zona me numër të vogël mandatesh, si p.sh. Dibra, Kukësi, Gjirokastra, Berati, etj, vota parapëlqyese e qytetarëve të mos ketë asnjëfarë vlere, ndërsa në disa zona të tjera vota parapëlqyese e qytetarëve të ketë vlerë të kufizuar. Në vetvete kjo krijon pabarazi mes votuesve, disa kanë të drejtë të ndikojnë në përzgjedhje, ndërsa disa të tjerë të mos ndikojnë në përzgjedhje. Disa kandidatë janë të zgjedhur automatikisht, ndërsa disa të tjerë në sistem preferencial.

 

  1. Në përputhje me Marrëveshjen politike të 14 Janarit, kjo çështje duhet të trajtohet me gjithëpërfshirje në Këshillin Politik. Marrëveshja politike e 14 Janarit detyron palët që: Pika 2, paragrafi 3: “Për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme”. Në këtë kuadër, Opozita e Bashkuar kërkon që në procesin e dakordësimit të mekanizimit për hapjen 100 % të listave të përfshihet ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR.