Propaganda socialiste kopjon Hillari Klintonin për të përshkruar Ramën si hero

Partia Socialiste ka filluar një fushatë të pa shpallur për ta përshkruar Kryeministrin Rama si ‘një njeri të ditës së vështirë’, një njeri që u bën ballë ngjarjeve dhe momenteve të krizës në çdo kohë. Një njeri që punon edhe natën për këtë gjë.

Përveç lartësimit të Ramës, kjo fushatë duket se ka qëllim ta kontrastojë atë me Kryetarin e PD-së Basha, të cilin propaganda socialiste e ka përshkruar që nga zgjedhjet lokale të vitit 2015 si një njeri që fle gjumë dhe nuk bën asgjë.

Në shërbim të kësaj propaganda janë vënë të gjithë vartësit e Ramës.

Fillimisht kryebashkiaku Erion Veliaj dhe më pas ministri Arben Ahmetaj kanë përsëritur të njejtën metaforën dhe rrëfenjë se Edi Rama është njeriu ‘i orës së vështirë’, që është gati për të marrë vendime dhe në 4 të mëngjesit, në kohë fatkeqësie, duke u nisur nga tërmeti i 26 nëntorit që ra rreth orës 3:54 të mëngjesit.

Të dy edhe Veliaj edhe Ahmetaj, u kanë kërkuar qytetarëve që në momentin kur duhet të votojnë të pyesin veten: kë duan të drejtojë vendin në 03:54 të mëngjesit kur bie fatkeqësia: një lider që është gati apo dikë që fle gjumë?

Aludimi për liderin që fle gjumë është për kryetarin e PD-së Lulzim Basha.

Me këtë qasje, propaganda socialiste po imiton një nga linjat kryesore të fushatës së dështuar të Hilari Klintonit të vitit 2008.

Për të kontrastuar përvojën e madhe të Hillari Klintonit në politikën dhe krizat ndërkombëtare me mungesën e përvojës të Barak Obamas, ekipi i Klintonit prodhoi një reklamë, skenari i së cilës ësstë afërsisht: “është 3 e mëngjesit dhe diçka po ndodh në botë, telefoni i emergjencës po bien në Shtëpinë e Bardhë, kë doni që t’i përgjigjet kesaj telefonate?”

Megjithëse Hillary Klinton e humbi kandidimin për president, demokratët dhe më pas të gjithë amerikanët votuan Barak Obamën për t’ju përgjigjur telefonit në tre të mengjesit, ky spot dhe ideja e telefonit të urgjencës në 3 të mëngjesit është bërë i famshëm në politiknë amerikane.

Së fundmi, seriali i famshëm The Simpsons transmetoi një episod ku Presidenti Trump harxhon aq shumë kohë të bëhet gati për një takim urgjent të sigurisë kombëtare, pas një telefonate në 3 të mëngjesit, sa e humbet fare takimin.

Chuck Schumer
O do bëjmë shtet, o do bëjmë bëjmë kënd lojrash!
Exit News sjell më poshtë thëniet dhe videot e Veliajt dhe Ahmetajt, dhe reklamën e përkthyer të Hillari Klintonit.

Erion Veliaj, në 7 korrik, gjatë prezantimit të projektit të rindërtimit të Kombinatit, u shpreh:

“I thashë [një djali], në orën 3:54 të mëngjesin do të doje që të ishte një dron, një printer 3D, një sistem kompjuterik apo do të doje që në krye të vendit të ishte një njeri i aftë për të përballuar një emergjencë, për të mobilizuar energji, i papanikosur nga sfida, mjaftueshëm i ndjeshëm për tu siguruar që mendon se duhet të shpëtojmë, por dhe të ngushëllojmë njerëz?!

Sot, por dhe nesër kur të kemi zgjedhje, gjithmonë pyetja do jetë ‘në orën 03:54 të mëngjesit’, se në ditë me diell të gjithë bëjmë politikë, pyetja është kush e drejton vendin në 03:54 të mëngjesit, kur bie fatkeqësia?

Dilema do jetë: duam një njeri që rri në krye të punëve dhe ka një vëmendje speciale nga dita e parë e deri sot, apo duam dikë që është në gjumë?

Kam një kënaqësi të jashtëzakonshme të ftoj kryeministrin, që ka qënë promotori i kësaj pune dhe atë njeriun e 03:54 të mëngjesit, për ditë të mira dhe për ditë të këqija.”

Arben Ahmetaj, 22 korrik, gjatë prezantimit të ecurisë së procesit të rindërtimit:

“Kemi pasur dy ngarkesa të mëdha, një goditje nga tërmeti dhe një nga pandemia. Për çdo qytetar që procesi i rindërtimit ecën dhe për çdo qytetar që shikon që ka një akt normativ që mbyll baret e natës do reflektojë që në ditën e orës së vështirë, kush është forca politike dhe kush është lideri që përgjigjet?

Kjo do na shoqërojë që tani e deri për një afat shumë të gjatë. Pandemia është ende nëpër këmbë dhe ne na duhet qeveria, njeriu i orës së vështirë.”