Përpjekja e dështuar e Ramës për të kërcënuar Perëndimin me destabilitet nga Prishtina

Nga Red VARAKU

Arsyet e vizitës së Ramës në Prishtinë sa vijnë edhe po qartësohen, sidomos pas deklaratave të djeshme të tij në konferencën për shtyp.

Sjellja si Etër të Kombit dhe shpalosja e retorikës nacionaliste është arma e vetme e udhëheqësve të vegjël ballkanikë sa herë gjenden në krizë dhe para izolimit të Perëndimit. Këtë ka bërë Millosheviçi, këtë ka bërë Gruevski!

Retorika e përdorur prej tij duket se ka të bëjë mes të tjerash me një hall personal të tij, i cili me sa duket lidhet me dështimin e projektit të Moskës për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë.

Prova për këtë është sulmi i turpshëm kundër Gjykatës Speciale, një investim i pastër perëndimor, dhe kërcënimi me destabilitet që ai i bëri Perëndimit pikërisht nga Prishtina.

Të dyja këto prova dëshmojnë gjendjen e tij të rënduar psikologjike dhe gadishmërinë e tij për të djegur Kosovën dhe Shqipërinë bashkë, për të shpëtuar veten dhe Hashim Thaçin.

Frika se pas Hashimit mund t’i vijë rradha atij, aq më tepër që tani me largimin e Dvoranit sistemi i drejtësisë po del nga kontrolli i tij, është natyrisht dhe makthi i tij.

Ndërsa deklarata e tij se Perëndimi po përdor drejtësinë për të rikonfiguruar realitetin politik në Kosovë, nuk dëshmon tjetër pos asaj që ai mendon se mund të ndodhë edhe në Shqipëri, pra rikonfigurim të skenës politike shqiptare nëpërmjet vendimeve gjygjësore.

I trembur nga pasojat e lojës së rrezikshme ku ishte përfshirë dhe nga fati që i rezervohet zakonisht tradhëtarëve, Rama është më i qartë se kushdo tjetër, që kërcënimi me destabilitet është rruga e vetme për të shpëtuar dhe negociuar.

I frustruar nga lufta e ftohtë e kancelarive perëndimore kundër tij, dje ai nisi një kurs të ri nacionalist si kërcënim ndaj Perëndimit duke shantazhuar hapur Bashkimin Evropian dhe SHBA me destabilizim të Shqipërisë dhe Kosovës në aspektin gjeopolitik.

Ideja e tij për ta sulmuar perëndimin nga Prishtina, është qartazi një shenjë për t’i treguar Perëndimit se ai është sot njeriu që komandon dhe Kosovën, pra ka një ushtri me dhjetë milion njerëz në rajon dhe duhet konsideruar si faktor me të cilin mund të negociohet.

Pra, për të shpëtuar karrigen e vet, ai po kërcënon perëndimin, në përpjekje për tu konsideruar faktor i vetëm, me të cilin mund të bisedohet.

Ai kërkon të faktorizohet si e keqe e domosdoshme, si një njeri që ka në dorë kartën e tij të fundit destabilizimin e Ballkanit.

Ndaj e bëri këtë lëvizje edhe nga Prishtina. Kjo për të thënë që ai ka në dorë të hedhë në erë të gjithë Ballkanin nëse cënohet.

Kjo është edhe arsyeja që kërkoi përmes jargëve dhe qurravitjeve më çdo kusht edhe takim me njeriun më të rëndësishëm në Kosovë, simbolin e luftës së UÇK, të vetmit që ka moralin e pastër, që nuk akuzohet për vrasjen e kundërshtarëve politikë, rreth të cilit realisht mund të mblidhen të gjithë shqiptarët.

Kjo është arsyeja që për planin e tij ai kërkoi dhe mbështetjen e Albin Kurtit, por që në këmbim mori vetëm përbuzje dhe neveri.

Refuzimi i Haradinajt dhe përbuzja e Albin Kurtit ndaj tij, në fakt është edhe dështimi i planit të tij për të kërcënuar Perëndimin. Ai u largua nga Kosova jo me bisht ndër shalë, por fare pa bisht.

Turp i madh që pas 30 vjetëve ky njeri po e kthen Shqipërinë dhe shqiptarët nga faktori më konstruktiv në Ballkan në faktor destabiliteti.

Por, problemi më i madh i Ramës sot është se e ka të qartë se luftën me perëndimin e ka të humbur. Projekti i tij për shkëmbim territoresh në vend që të bëhej shpëtimi i tij, u bë varri i tij. Ai e di fort mirë fatin e dallkaukëve ballkanikë që kanë dalë kundër perëndimit si Millosheviçi apo Gruevski.

Thjesht duhet të ulë kokën dhe t’i nënshtrohet fatit të tradhëtarëve më të mëdhenj të këtij kombi. Nëse nuk e ul vetë, do t’ia ulin shumë shpejt. Ai e di këtë.