Përfundon marrja në pyetje e Thaçit në Hagë, çfarë pritet të ndodhë nesër

Para pak çastesh ka përfunduar seanca e sotme e intervistimit të presidentit Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara në Hagë. Thaçi ka dalë nga Dhomat e Specializuara pa dhënë ndonjë deklaratë.

Ai ka thënë se intervistimi do të vazhdojë nesër në orën 13:00.

Edhe të martën, njësoj si të hënën, Thaçi u intervistua për rreth 6 orë. Ai pas intervistimit tha se aty ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe kishte pasur interesim “fillestar të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Ndërkaq, para se të niste intervistimin të hënën, presidenti i Kosovës deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.