PD nxjerr videon: Drejtësi dhe ndëshkim duke filluar nga koka dhe jo nga bishti!

Partia Demokratike reagoi pas disa arrestimeve në kuadër të hetimeve për manipulimin zgjedhor nga dosja 339.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi shkruan se, duhet drejtësi duke filluar nga koka dhe jo nga bishti.

“Dosja 339 është krimi shtetëror, në të cilin Edi Rama vodhi dhe bleu zgjedhjet e vitit 2017 me krimin e organizuar. Dosja 339 është Vangjush Dako, është banda e Avdylajve, janë trafikantët ndërkombëtarë të drogës, është Edi Rama, që ata zgjodhën me blerje votash dhe me kërcënime.
 
Për këtë krim, që vazhdon të mbajë peng vendin, akoma nuk është bërë drejtësi. Vangjush Dako, i shpallur non grata nga SHBA, vazhdon të jetë i lirë, nën mbrojtjen e Edi Ramës. Të tjerë njerëz të afërt të Edi Ramës vazhdojnë të mos hetohen për lidhjet me trafikantët e drogës që blenë zgjedhjet për Edi Ramën në Durrës, Kavajë, Shijak, Lezhë etj.
 
SPAK duhet të veprojë në mënyrë të plotë dhe të mos fshihet pas gishtit. Manipulimi i zgjedhjeve të 2017 kërkon drejtësi dhe ndëshkim, duke filluar nga koka dhe jo nga bishti.
 
Blerja e votave, bashkëpunimi me krimin e organizuar në zgjedhje, kërcënimi i votuesve dhe komisionerëve, presioni ndaj administratës publike, janë krime që presin drejtësi. 
 
Kur do të urdhërohet arrestimi për këto fakte flagrante, që i ka dëgjuar e gjithë bota dhe që presin drejtësi prej 3 vitesh?”, shkruan Bardhi.